Shpallje

Mbrëmë ndodhi një ngjarje mjaftë e rëndë në Komunën e Gjakovës.

As 50 metra nuk kanë distancë shtëpia e personit që humbi jetën me të dorasit. Fqinjët e moçëm nuk u pajtuan rreth shit-blerjes së një toke në Marmull të Gjakovës, për të cilën mbrëmë u qëlluan.

Në vend të ngjarjes mbeti pa shenja jete Tunë Bezhi 40 vjeç e i lënduar Anton Nikolla 56 vjeç.

I dyshuari kryesor i rastit të mbrëmshëm Alfred Gjugja, 30 vjeç tashmë ndodhet prapa grilave. Mjeti me të cilën dyshohet se u krye krimi është pa leje, tha prokuroria.

Që nga paslufta fshati Marmull i Gjakovës njihet si vend problematik ku familjet mes vete kanë probleme, kryesisht janë në gjakmarrje. Janë më shumë se dhjetë persona që mbetën pa shenja jete për probleme banale. E për një të tillë, u vra mbrëmë edhe Tunë Bezhi. Babai i tre fëmijëve që jetonte e vepronte në Zvicër, ditë më parë u kthye në Kosovë për ta zgjidhur problemin e një toke, që sipas familjarëve të tij, kohë më parë e kishte blerë nga axha i dorasit.

Për të mbërritur te shtëpia e familjes së Tunë Bezhit duhet të kalosh para shtëpisë së dorasit Alfred Gjugja. Dy shtëpitë i ndanë toka për të cilën mbrëmë ndodhi krimi. Bëhet fjalë për rreth 15 ari tokë që sipas familjes së atij që humbi jetën, djali i tyre e kishte blerë më parë nga familja e dorasit.

Gjendja shëndetësore e të lënduarit Anton Nikollës që njëherit është kumbara i viktimës është stabile, ai është jashtë rrezikut për jetën. Ai është i lënduar në këmbë dhe ka lëndime edhe në kokë pasi është goditur edhe nga një mjet i fortë. Është i shtrirë në Siptalin e Gjakovës konkretisht në repartin e ortopedisë.

Nikolla tha se ka dhimbje nga plagët dhe se nuk është në gjendje të flas për media. Shtoi se konflikti nisi për shkak të një prone dhe se të gjitha i ka thënë në polici.

“Ma mirë jom. Nuk dua me folë për media. Pak ma mirë jom, kam dhimbje. Të gjitha i kam thënë në polici. Mosmarrëveshja ka fillu për një pronë, nuk ka pas shumë fjalosje”, tha Nikolla.

Ishte pikërisht problemi me tokë që e shtyu Tunën të vinte nga Zvicra në Kosovë. Për të familja ka hapur të pamen në Marmull lamtumira e fundit pritet të bëhet nesër. Familjarët që sot e pranuan trupin e pajetë të Tunës nga Mjekësia Ligjore nuk ishin në gjendje të prononcoheshin për asnjë media. Mirëpo një nip i familjes Bezhi foli shkurt rreth rastit.

Rreziku për t’u thelluar edhe më shumë konflikti mes dy familjeve tani është i madh, prandaj një patrullë e njësisë speciale të Policisë së Kosovës po ruan shtëpinë e familjes së dorasit.

Tunë Gojani, shok i Alfred Gjugjës tha se pasi ai ka kryer krimin e ka telefonuar dhe i ka thënë se është larguar nga vendi i ngjarjes. I ka kërkuar që ta kthejë në Marmull te familja për t’i përshëndetur para se të dorëzohej në polici.

“Më ka telefonu, më ka thanë se i ka ndodh një rast. Tha a po vjen mem marrë me kerr në fshatin Rezinë. Ekom pru te shpija në Marmull tha po du me u përshendet me familjarët e mi, edhe u dorëzu. E kanë marrë policia e kanë dërgu në stacion të policisë”, tha Gojani.
Cilat ishin fjalët e dorasit pasi ka kryer krimin?

Sipas personit që e kishte sjellë në fshatin Marmull dorasin pasi ai kishte kryer krimin Alfredi kishte thënë se i vjen keq për rastin që ka ndodhur dhe se gjithçka ka qenë e momentit.

“Është largu nga vendi ku e ka kry krimin nuk e di arsyen pse. Në gjendje të mirë u kan, i qetë, tha më ka ardhë keq për rastin që ka ndodhë, tha u kan e momentit. Po tha sjom konë në vendije u kan moment i shkurtë. Alfredi marrë me bujqësi, ka prind vëlla motër, e kam shok, kumbarë të shtëpisë”, përfundoi ai.

Gazeta Express ka biseduar edhe me kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ali Semilaj. Ai tha se personi ka ardhë prej Zvicrës mu marrë vesh për një pronë tokësore.

Ndërsa, për dorasin tha se po mbrohet në heshtje dhe i njejti po hetohet për “krim të rëndë” “lëndim trupor me mjet të fortë.

“Fatkeqëisht nga fshati Marmull nuk është hera e parë që po japin informacione jo të mira. Mbrëmë rreth orës 18:30 ka ndodhur një krim. Një person është privu nga jeta, tjetri është lënduar, sa kem informacione motivi është i karakterit pronësor. Për një kohë të shkurtër i dyshuari ka ikur, pastaj i kemi hy në shtëpi kemi bërë bastisje e kemi kapur i kemi konfisku mjetin që dyshohet se me të e ka kry krimin. Veper penale “Krim i rëndë” “Lëndime trupore me mjet të fortë” -tha Selimaj.

Selimaj shtoi se pasi policia ka bastisur shtëpinë e dorasit i njejti nuk ka rezistuar dhe është dorëzuar.

“Njëherë e ka telefonu policinë pastaj e ka ndërpre çdo kontakt me policinë, pasi i kemi shku në shtëpi nuk ka rezistu edhe e kemi kap”, tha kryeprokurori.

“Shtëpinë e dorasit jemi duke e ruajt me polici. Duke e marrë parasysh gjakmarrjen, kjo është arsyeja që e kemi siguru shtëpinë e tij”, përfundoi Selimaj.

Ndërsa, nesër pritet që dorasi të dalë para gjykatës ku edhe do t’i caktohet masa e ndalimit.

/Orainfo/