Shpallje

Shpesh kohët e fundit në shumë raporte ndërkombëtare, artikuj, apo botime shqiptarët janë cilësuar si kryesuesit e tregut të lëndëve narkotike dhe krimit të organizuar në Europë. Duket se kjo po vërtetohet dita ditës, pas arrestimeve të bandave shqiptare falë operacioneve ndërkombëtare.

Mendoj se ky është një nga problemet më të mëdha të Shqipërisë. Përtej polemikave të dëmtimit të imazhit të vendit tonë në aspektin e turizmit, kulturës dhe sigurisë që të huajt mendojnë se Shqipëria u ofron, përhapja e shpejtë e këtyre organizmave që marrin frymë përmes strukturimit të Krimit të Organizuar, po ndikon dhe në negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian. Së fundmi u njohëm me vendimin e Parlamentit Hollandez për vendosjen e vizave me vendin tonë, një hap ky që e kthen Shqipërinë pas në kohë.

Krimi i organizuar shqiptar në Europë ka ndikime të mëdha në vende të ndryshme, ku sigurisht kryesojnë vendet e mirëqenies së lartë sociale, si Zvicra, Hollanda, Belgjika, Britania etj. Megjithatë kryesimi i tregut të zi të lëndëve narkotike, dhe pushteti mbi krimin e organizuar tregon se koha në të cilën veprimtaria e këtyre individëve ose bandave në këto vende është e hershme, përpara se Shqipëria të liberalizonte vizat. Krimi shqiptar i organizuar në Europë nuk lindi sot, ai u gjenerua që në vitet e para të pluralizmit, për të drejtuar sot terrene ndërkombëtare.