Shpallje

Policia kosovare ka arrestuar ditën e sotme në orët e para të mëngjesit deputetin Dardan Molliqaj, i cili është bashkëshorti i Besa Shahinit, ministres shqiptare të Arsimit. Ka qenë Partia Socialdemokrate e Kosovës që ka bërë publik njoftimin për arrestimin e deputetit.

Ai është arrestuar në banesën e tij dhe sipas PSD-së nuk ka qenë i paralajmëruar më herët për seancë apo paraqitje ne gjykatë.

“Molliqaj është arrestuar nën arsyetimin për pjesëmarrje në protestën për lirimin e deputetit Albin Kurti, në vitin 2015. Arrestimi i deputetit në fjalë ka qenë në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e njeriut dhe në shkelje të plotë të procedurave ligjore. Për këtë arsye, ajo protestë ka qenë e drejtë dhe e nevojshme’, thuhet në njoftimin e PSD-së.

Partia Socialdemokrate kërkon lirimin e menjëhershëm të deputetit Dardan Molliqaj, ndërsa i cilësojnë të papranueshme veprimet e policisë.

‘PSD është për shtet të së drejtës, ku respektohet liria për protestë dhe kritikë. Prandaj, për ne është e papranueshme çfarëdo përpjekje për cenimin e tyre’, thuhet në reagimin e PSD-së.