Shpallje

Drejtoria Rajonale AKU Tiranë ka ndërmarrë muajt e fundit disa aksione inspektimi, duke evidentuar të gjitha rastet që vënë në rrezik konsumatorin dhe duke marrë masat përkatëse. Në kuadër masave të marra, janë gjobitur ditën e sotme subjekte “lider në treg” si rrjeti i supermarketeve Conad. Produktet e mëposhtme janë konstatuar se ishin jashtë afatit të përdorimit, gjithashtu Conad është gjobitur për një sërë shkeljesh të tjera.

Njoftimi  zyrtar nga Drejtoria Rajonale AKU Tiranë:

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon punën për kontrollin zyrtar të përmbushjes së kërkesave ligjore për sigurinë ushqimore nga ana e Operatorëve të Biznesit Ushqimor.

Gjatë kontrollit të ushtruar në një subjekt të licencuar për tregtimin e produkteve ushqimore, pjesë e një rrjeti të njohur marketesh në vend, inspektorët e Drejtorisë Rajonale të AKU, Qarku Tiranë konstatuan se në subjektin “PRONATYRA TREG” CONADI ( BLLOKU ) ne mes te kryeqytetit nuk dispononte licencën përkatëse për kategorinë e aktivitetit dhe vendin ku e ushtron atë, kishte mangësi në etiketimet e produkteve dhe nuk dispononte një sistem funksional gjurmueshmërie. Gjithashtu, inspektorët konstatuan se disa produkte si sallam, proshutë dhe salmon tregtoheshin jashtë afatit të përdorimit.

Në përfundim të kontrollit zyrtar, ndaj subjektit u morën këto masa:

1. Masë administrative “Gjobë” me  vlerë 300,000 (treqind mijë) lekë për nxjerrje në treg të ushqimeve përtej afatit të përdorimit,

2. Masë administrative “Gjobë” me vlerë 200,000 (dyqind mijë) lekë, për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë,

3. Masë administrative “Gjobë” me vlerë 1,000,000 (një milion) lekë, për mungesë të licencimit për kategorinë II.1.B (licenca për veprimtaritë me kodin II.1.B kërkohet për çdo vend të ushtrimit të veprimtarisë së shitjes dhe ka të bëje me kritere të posacme si: përshtatshmëria e pajisjeve, teknologjisë dhe mjediseve me standardet e shërbimit),

4. Masë administrative “Bllokim” për produktet të cilat ishin jashtë afatit të përdorimit sëbashku me detyrimin e subjektit për asgjesimin e tyre sipas procedurës të përcaktuar nga ligji dhe njoftimin e AKU-së për të siguruar prezencën e inspektorëve të saj në procesin e asgjesimit.