Shpallje

Pak ditë më parë Bamir Topi ka botuar librin e tij “Nocturn: Kur arsyeja errësohet nga pushteti”. Mes te tjerash Bamir Topi rrëfen jetën e tij, që nga fëmijëria, studimet, puna shkencore, hyrja në politikë, duke arritur të ngjitet deri në numrin një të shtetit.

Si dëshmitar i disa prej ngjarjeve më të rëndësishme në politikën e pas viteve ’90, ish-Presidenti i Republikës, ka shumë për të treguar. Për Topin është e rëndësishme që gjithkush të thotë të vërtetën e tij. Në librin e tij ai i kushton një pjesë të veçantë edhe raporteve personale me liderët politikë të të 3 dekadave demokraci. Ja si e kujton takimin me Ramiz Aline.

BAMIR TOPI – PËR RAMIZ ALINË

Ramiz Alia, ndonëse është njeriu më jetëgjatë, që shërbeu në komunizëm si përfaqësues i Rinisë Komuniste e deri Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të PPSH-së, konsiderohet dhe njihet në historinë e kohës së ndryshimeve të sistemeve si Presidenti i Parë i Republikës dhe në këtë cilësi është trajtuar në marrëdhëniet protokollare të shtetit shqiptar. E kam takuar Ramiz Alinë në ceremonitë e Festës së Pavarësisë, ku komunikimi ka qenë i shkurtër dhe përshëndetës.

Një tjetër moment kur kam biseduar gjatë me Ramiz Alinë ka qenë në një darkë të organizuar nga Presidenti Moisiu në 80-vjetorin e lindjes së tij, në dhjetorin e vitit 2009. Ndonëse ishin të ftuar të gjithë presidentët, mungonte vetëm Sali Berisha. Pas një dreke që ka zgjatur rreth një orë, në largim e sipër, gjatë përshëndetjes kam pasur një bisedë të shkurtër dhe interesante me Ramizin.

Në përshëndetje e sipër filloi të japë vlerësime për situatën konfliktuale midis Presidentit dhe Kryeministrit, që korrespondonte me problemet politike të vitit 2009.

– Në këtë klimë kaq të ashpër, vlerësoj mënyrën e drejtimit të Presidencës për të qenë i baraslarguar dhe duke u bazuar thellësisht te ligji! – u shpreh Alia.

Në ikje e sipër u shpreh se “e shoh që ke një situatë të pazakontë”, duke pasur parasysh përplasjen e fortë me Berishën, të cilin e përkufizoi si një lider “të ashpër dhe të pabesë”.

Unë, natyrisht nuk u ndjeva mirë me këtë lloj komunikimi, duke evituar përgjigjen me shumë diplomaci dhe e kalova bisedën diku tjetër, pasi nuk doja që të shprehja konsideratat e mia, aq më shumë te Ramiz Alia, për një njeri që, tek e fundit, kisha bashkëpunuar në politikë dhe sot kisha marrëdhënie të detyruara institucionale.