Shpallje

Pas një ore protestë përpara godinës te ministria e Arsimit ku nuk munguan as incidentet e vogla me thyerje xhamash, studentët janë zhvendosur në këto momente drejt Fakultetit të Shkencave të Natyrës duke mbyllur për sot tubimin e tyre.

Ata kanë marshuar fillimisht  nga qendra drejt ministrisë me thirrjet e “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa” duke mos kursyer akuzat ndaj qeverisë, e cila sipas tyre, nuk ka përmbushur premtimet për studentët mbi “Paktin për Universitetin”.  Gjatë qëndrimit  për 60 minuta para godinës së ministrisë  ata dogjën letra dhe hodhën tymuese duke kërkuar  më shumë të drejta për studentët.

Mes tjerash studentët theksuan se qeveria i ka gënjyer, ndërsa nënvizuan se propaganda e ndjekur prej saj tashmë ka dështuar përfundimisht.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në faqen e tij zyrtare në “Facebook” një video, e cila tregon sipas shefit të qeverisë premtimet e mbajtura në lidhje me “Paktin e Universitetit”.

Në materialin e publikuar nga kryeministri Edi Rama  tregohet me shifra se sa studentë kanë përfituar nga premtimet, që nga ulja e tarifave e deri tek zerimi i taksës për studentët ekselentë.