Shpallje

Kryeministri Edi Rama ka qenë në Kurbin sot ku është prezantuar kandidatja për kryetare bashkie Majlinda Cara. Nuk kanë munguar batutat e kryeministrit si pjesë e mesazhit të tij politik për tua përcjellë kurbinasve për t’i bindur të votojnë alternativën e majtë.

Rama foli edhe për fjalët e nxjerra nga përfaqësues të opozitës se ka pësuar infarkt. Ai tha se çfarë thonë ata, i bëhet shëndet.

Duke iu referuar thirrjes së opozitës se zgjedhjet e 30 qershorit nuk do të lejohen, nuk mungoi një apel për çunat e Laçit.

PJESË NGA FJALA E KRYEMINISTRIT
Ky është një vend ku askush nuk është i ndaluar të bëjë asnjë lloj aktiviteti politik. Ky është një vend ku gdhihen dhe ngrysen duke e ngritur dhe duke e ulur kryeministrin si hajdut, si kriminel, si drogaxhi, si të gjitha të zezat. Qysh se kam hyrë në këtë politikë e deri më sot, kam dëgjuar të gjitha të zezat për çdo punë që kam filluar të nis e për çdo punë që kam bërë. Por siç e shihni, pavarësisht se ata nxorën dhe lajmin që më ra infarkt, jam në rregull. Për sa kohë gabimet që mund të bëj apo dhe dështimet që mund të kemi nuk janë rezultat i qëllimit për të bërë keq, apo për të futur dorën në xhepin e njerëzve, apo në pasuritë që i takojnë të gjithë fëmijëve të këtij vendi, çfarë thonë ata mua më bëhet vetëm shëndet. Unë i uroj shumë sukses Majlindës. Nuk e diskutoj e para e punës që gratë e demokratëve do votojnë Majlindën por dhe ca demokratë do ta votojnë, shumë të tjerë nuk do shkojnë fare në votim, kurse ata që do mendojnë rrugën e tretë po ua përsëris prapë çunat e Laçit, Italinë e keni si shtëpinë tuaj, mos e mbyllni derën e asaj shtëpie se tek kasollja e Lulit nuk ngelet gjë për ju se i ha të gjitha kunati.