Shpallje

Nga Marjon Gorica

Padyshim që rregulli numër një i politikës është imoraliteti i saj. Aftësia për të shitur dhe blerë vlera dhe antivlera, njerëz të thjeshtë dhe politikanë të zotë, pa dashur apo me qëllim. Nuk kanë pikë rëndësie rrethanat apo kushtet në të cilat ndodhesh, në politikë është gjithnjë dikush i gatshëm për të të marrë nga jashtë rruge e për të bërë pjesë të një piste të tej zgjatur, kjo derisa domosdoshmëritë që kanë nga ti të konsumohen. Dhe atëherë është pikërisht i njëjti person, që mundohet të të nxjerri nga ajo pistë në të cilën je futur, për të të vrarë politikisht e për të mos u rimëkëmbur. Të pakta janë rastet e individëve të cilët kanë dalë nga kjo rrugë e që mund t’i jenë rikthyer prapë, sikurse ka edhe të tillë, që ikën e se morën më guximin të kthehen sepse loja pa rregulla shpesh sjell viktima!

Duket se filmin e politikanit që bëhet ‘kurban’ në Shqipëri e kemi parë disa herë, me njerëz që janë goditur, dhe me të tjerë që janë mbajtur fort në aftësitë e tyre. Por kësaj rradhe cfarë kemi? Mora shkas të shkruaj një opinion timin për Ralf Gjonin, por në vend të tij mund të ishte kushdo tjetër…

Ralfi erdhi në klasën politike jo rastësisht, ndërkohë që sot po shitet sërish nga ata të cilët i këshilloi në 8 vite, ata të cilët e futën në listë për deputetë, e nga aleatët e tyre. Sot Ralfi, deputeti i Parlamentit të Republikës së Shqipërisë gëzon një mandat, vend të cilin ja dhuruan apo e fitoi me zotësi pak rëndësi ka në kontekstin në të cilin po shkruaj sot…

Ajo që mua më shqetëson si gazetar, por edhe si qytetar është vëmendja që po drejtohet drejt Ralf Gjonit. Ne, të gjithë qytetarëve të këtij vendi na intereson ajo për të cilën shumë pak flitet, por edhe kur flitet propagandohet; shteti, mirëqënia, jetesa, ekonomia, familja. Unë nuk jam avokati i askujt, e s’kam për ta bërë këtë gjë, por marr shkas të reagoj kur shoh një mllef që qarkullon kudo, thua të ishte Ralf Gjoni problemi më i madh i Shqipërisë dhe shqiptarëve sot?!