Shpallje

Oriola Zenelaj – stomatologe

Problemi kryesor që na karakterizon është që ne kemi një neglizhencë të theksuar për shëndetin në përgjithësi dhe atë oral në veçanti, duke mos bërë parandalimin e sëmundjeve, por kurimin e tyre në stade më të avancuara. Sëmundja më e shpeshtë që shihet në kavitetin oral është kariesi dhe pasojat që ai sjell,që shkojnë deri tek humbja e vitalitetit të dhëmbëve , infeksionet apo ekstraksionet dentare. Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe sëmundjet paradontale (sëmundjet e mishrave të dhëmbëve), si dhe anormalitë ortodontike ( problemet e nofullave dhe të rreshtimit të dhëmbëve,që vijnë si pasojë e ushqyerjes me produkte të përpunuara dhe kjo sjell moszhvillim të nofullave dhe të muskulaturës).
Këshilla kryesore që mund të japim është higjiena. Kujdesi sic duhet për higjienën e kavitetit oral parandalon avancimin e problemeve dentare. E dyta, është kontrolli periodik tek mjeku stomatolog. Ky kontroll duhet të bëhet një herë në 6 muaj, i shoqëruar dhe me një higjienizim adekuat profesional.
Shumë i rëndësishëm është kontrolli i parë tek mjeku. Pacientët duhet të vijnë tek mjeku që në fëmijërinë e hershme, 3-4 vjec nëse nuk kanë probleme dentare dhe më herët nëse kanë të tilla. Po në këtë moshë duhet të bëhet dhe konsulta e parë me mjekun ortodont, larja e dhëmbëve duhet të fillojë që me daljen e dhëmbit të parë tek fëmijët.
Sipas një studimi të Akademisë Amerikane të Dentistrisë pediatrike kavitetet jane 5 herë më të shpeshta se asthma dhe 7 herë më të shpeshta se temperatura e lartë. 40% e fëmijëve kanë karies dentar para se të shkojnë në kopësht.Këto statistika duhet të na bëjnë më të përgjegjshëm dhe më alert për situatën.

Disa këshilla për ditët e nxehta të verës:

  1. NDIQNI RUTINËN
    Pavarësisht se jeni me pushime apo në shtëpi është e rëndesishme që të kontrolloni fëmijët që të lajnë patjetër dhëmbët dy herë në ditë,për 2-3 minuta, të përdorin furçën dhe fillin dentar.
  2. SA MË PAK PIJE DHE USHQIME ME SHEQER
    Me rritjen e temperaturave shtohet dhe konsumimi I pijeve me sheqer,duhet patjetër ti ndaloni ato dhe në vend të tyre të konsumohen lëngje të freskëta frutash. Po ashtu të minimizohen vaktet e ndërmjetme kalorike, akulloret duke u zëvendësuar me fruta ose perime të freskëta.
  3. TË BËHET ME SHPEJT KONTROLLI TE DENTISTI
    Ditët e pushimeve mund të shfrytëzohen për të bërë kontrollin te mjeku,të bëhen mjekimet e nevojshme të dhëmbëve. Në rastet kur fëmijët kanë nevojë për aparat, është koha e përshtatshme për ta vendosur, sepse kanë më shumë kohë për t’u përshtatur.