Shpallje

Drejtoresha e marrëdhënieve me mediat në Partinë Demokratike, Elona Meço, ka pushuar nga puna ditën e djeshme, kameramanin zyrtar të PD-së, Igli Zela. Igli Zela, punonte si kameraman zyrtar i Partise Demokratike, prej gjashtë vitesh dhe ish-kameraman i ish-kryeministrit Sali Berisha në tetë vite, kur ai drejtonte Kryeministrinë. 

Në vitin 2013, me largimin e ish-kryeministrit Berisha, Igli Zela pushohet nga puna nga kryeministri Rama, duke qenë se ai ishte pjesë e stafit të ngushtë të ish-kryeministrit, si dhe krahu i djathtë i Erla Mëhillit. 

Zela është pushuar nga puna menjëherë pasi në media është shpërndarë fotoja e zëdhënëses së Sali Berishës, Erla Mëhilli, me ish-nënkryetaren e kësaj partie Jozefina Topalli, në një nga kafet e Tiranës. Ai është pushuar nga puna nën argumentin dhe justifikikimin se po rikonstruktohen zyrat.

Fotoja e Erla Mëhillit me Jozefina Topallin është një mesazh i qartë si mbështetje ndaj Jozefina Topallit nga zëdhënësja e Berishës, menjëherë pasi “Zonja e hekurt” e PD-së, e quajtur dikur, një natë më parë kishte shpërthyer në sulme dhe akuza ndaj Lulzim Bashës, pas dështimit elektoral të kreut të PD-së, i cili pas pesë muajsh përplasje, protesta dhe konflikte, kishte dështuar duke i dorëzuar Rilindjes në tavolinë 61 bashki.

Erla Mëhilli, ish-anëtare e Këshillit Kombëtar të PD-së, me veprimin e saj ka shprehur qartë gjithçka që ajo mendon si qytetare e lirë. Megjithatë menjëherë pas fotos një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Erlës, njeriu që për shumë vite kishte qënë në krah të djathtë të saj në çdo takim të ish-kryeministrit Berisha, në atë kohë, dhe në çdo aktivitet zyrtar dhe jo zyrtar, pushohet nga puna.

Duket se përtej pretendimeve ‘demokratike’ të drejtuesit të PD-së, brenda partisë, kjo lloj filozofie ka humbur konceptin e saj real, në një moment kur punonjës të ndryshëm, largohen nga puna pa arsye reale.