Shpallje

Dy persona janë arrestuar në Tiranë, pasi dhunuan faturinon e linjës së autobusit Kinostudio- Kombinat dhe kundërshtuan punonjësit e policisë.

Mbrëmjen e djeshme, në rrugën e “Dibrës” në Tiranë, në autobusin e linjës-Kinostudio- Kombinat dy personat me inicialet A.T. dhe F.K. pas një konflikti të çastit kanë dhunuar faturinon e linjës së autobusit. Drejtuesi i autobusit kur ka parë dy punonjës të policisë rrugore  që ishin me shërbim në afërsi të spitalit “Nënë Tereza”, ka ndaluar autobusin dhe ka kërkuar ndihmën e tyre. 

Punonjësit e Policisë rrugore kanë ndërhyrë menjëherë për të neutralizuar konfliktin. Dy të rinjtë A.T. 24 vjeç dhe F. K. 20 vjeç, banues në Tiranë, kundërshtuan me dhunë edhe punonjësit e policisë, por u prangosën. 

Ata akuzohen për “Kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Goditja për shkak të detyrës”. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.