Shpallje

Edhe pse ka kaluar një javë nga zgjedhjet e 30 qershorit, Ilir Meta vijon sulmet kundër qeverisë dhe KQZ-së lidhur me shifrat mbi numrin e votuesve.

Kreu i shtetit fton qytetarët që të gjejnë sipas tij një shpjegim shkencor për shumimin e votave në 30 qershor, ndërsa ka publikuar komentin e një personi që thotë se ‘kanë bërë seks votat me njëra tjetrën brenda kutive të votimit dhe janë shumuar”. 

“Të dashur miq! Duke ju uruar një të diele sa më relaksuese e çlodhëse ju ftoj të gjithëve të gjeni një shpjegim shkencor të shumimit të votave mbi numrin e pjesëmarrësve të votimeve të 30 qershorit” shkruan Meta.

Ditën e zgjedhjeve, gjatë procesit, dhe në mbyllje të tij, KQZ, përmes zëdhënëses së institucionit dha shifra paraprake të pjesëmarrjes dhe numrit të votuesve, që me numërimin e të gjitha votave, ndryshuan nga rezultati përfundimtar: 22.9 % dhe 812249 vota.

Klement Zguri kërkoi hetim administrativ kryesisht, lidhur me mosrakordimin e shifrave të pjesëmarrjes që ky institucion deklaroi gjatë ditës së zgjedhjeve të 30 qershorit, dhe deri në mbyllje të tyre, por u rrëzua.

Presidenti dhe opozita theksojnë se pjesëmarrja ka qenë 15% dhe se kutitë janë mbushur fiktivisht për të rritur numrin. Ndërkohë që dje KQZ sqaroi opinionin publik për shifrat e ndryshme të pjesëmarrjes në zgjedhjet e 30 qershorit

Kujtojmë që shumica menjëherë pas zhdekretimit të datës 30 qershor nga Meta, ka nisur procesin e shkarkimit të tij, ndërsa nesër do të miratojë në Kuvend ngritjen e Komisionit Hetimor.