Shpallje

Është shtyrë për të tretën herë seanca në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ish-ministri i Brendshëm, mbërriti në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe pas shtyrjes së seancës foli me tone të ashpra ndaj Gjykatës. Shkak për shtyrjen e seancës sot është bërë mosdërgimi nga Prokuroria i disa prej akteve të dosjes.

“Kjo është qesharake. Eshtë mungesë vëmendje. E thashe edhe në seancë, unë heq dorë në mënyrë që gjyqi të mos shtyhet sepse po bëhet tërkuzë kjo histori. Unë heq dorë edhe nga disa dëshmi që janë në favorin tim. Kërkoj të mos shtyhet. Sot janë zhdukur letrat me të cilat iu kërkua Parlamentit, arrestimi im. Kjo është qesharake, nuk ndodh as në dyqanin në cepin më të humbur në Shqipëri dhe jo në shtetin shqiptar. E quaj të tepërt të shtyhet gjyqi për herën e tretë. Kjo është poshtëruese për drejtësinë dhe jo për mua. Kur kjo ndodh me mua, imagjinoni çfarë ndodh me njerëzit. Eshtë e shëmtuar kjo që po ndodh. Nuk e di si mund të ndodhë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në një proces që është në vëmendjen e të gjithëve. Mua më intereson gjyqi. Nuk i dua dëshmitë në favorin tim. Jam gati të heq dorë edhe nga provat që janë favorin tim që gjyqi të mos shtyhet. Njëherë thonë që postieri i solli letrat të grisura, njëherë tjetër kanë humbur letrat. Kjo është hata e madhe. Me këto letra kërkuan arrestimin tim në Parlament, si ndodh tani që këto letra nuk i kanë, si ndodh që këto letra zhduken. Nëse letrat humbin në këtë mënyrë, Republika ka rënë. Unë di që do ia dal, herët apo vonë, do t’ia dal”, u shpreh Tahiri.

Ish ministri ishte i pranishëm në gjykatë i shoqëruar nga dy avokatët e tij. Ndërsa tre të pandehurit e tjerë në mungesë, ish zyrtarët e policisë së Vlorës, Jaeld Çela, Gjergji Kohila e Sokol Bode kishin autorizuar mbrojtesit e tyre, ti përfaqësojnë.

Akuzat ndaj Tahirit janë ato për “Trafikimi i narkotikëve, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, Tahiri ka qenë garant i grupit të “Habilajve” në trafikun e drogës. Në të njëjtin proces janë të pandehur edhe tre ish zyrtarët e lartë të Policisë së Vlores, Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergji Kohila, ende të pa arrestuar.