Shpallje

Nga Marjon Gorica

Shqipëria është një vend shumë i bukur, i bekuar nga Zoti me pasuri të jashëtzakonshme natyrore, të cilat e kanë kthyer në një vend mjaft të aspiruar nga një numër i madh vizitorësh, vendas dhe të huaj. Me një vijë bregdetare që bashkon dy dete sa të thellë dhe të kulluar në perëndim dhe jug të vendit, dhe me alpet e bukura në veri, Shqipëria do të ishte absolutisht vendi i mundësive të arta të turizmit nëse ne do të ishim kujdesur si duhet për të mirat e vendit tonë. Por edhe pse përtej luftës 30 vjeçare të shoqërisë shqiptare për tu transformuar në një vend demokratik, koha fizike dhe mundësitë për të zhvilluar dhe projektuar politikat e turizmit në tonalitetet e duhura ka qenë shumë e limituar, Shqipëria mbetet një vend i mrekullueshëm për të kaluar pushimet…

Shqipëria nuk është vetëm imazhi i një peizazhi të bukur ngjyrash natyrore, ku mes të gjelbrës dhe blusë së mrekullueshme dominon një mot fantastik në 365 ditë diell, por më tepër se sa kaq, Shqipëria është histori dhe kulturë! Janë të panumërta vendet që mund të vizitosh në Shqipëri, po aq sa unë ndjej keqardhje tek flas me miq të mi, dhe zbuloj që ata janë duke pushuar jashtë. 

Berati, Shkodra, Apollonia, Durrësi, Butrinti, Kruja por edhe Tirana dhe shumë qytete të tjera, paraqesin në vetvete vende plot histori dhe kulturë, aty ku mund të imagjinosh mes kalave e kështjellave, heronjtë e historisë duke luftuar për pavarësinë e një vendi të vogël por me vlera! 

Riviera Shqiptare, e krahasuar shpesh me rivierën italiane, dhe resortet e bukura ku janë shpenzuar me dhjetëra investime vitet e fundit, do tju ftojnë të pushoni dhe qetësoheni në jug të Shqipërisë…

Sot ne të gjithë duhet të zgjedhim Shqipërinë. Nëse duam vërtet ta ndryshojmë vendin tonë duhet edhe ta respektojmë. Ta respektojmë në qëndrime dhe në mbështetje. Ndaj unë ju sugjeroj të gjithë miqve të mi, le të zgjedhim Shqipërinë. Le të zgjedhim Shqipërinë për të pushuar, për ta pastruar, për ta promovuar, por mbi të gjitha për ta dashur në të gjithë të mirat që na i ofron me një bujari të pakursyer.