Nga Entela Binjaku

Në organizimin e Ambasadës dhe Ambasadorit të Rumanisë në Tiranë, Mircea Perpelea, Ministria për Rumunët e Kudogjendur, ka propozuar një sërë aktivitetesh në Republikën e Shqipërisë.

Fillimi i këtij muaji, ishte i rëndësishëm për shkak të disa aktiviteteve që përqendroheshin në bashkëpunimin shqiptaro-rumun. Ditët e para të korrikut filluan me kampet verore në Rumani të fëmijëve dhe të rinjve arumune dhe disa studentëve nga universitete të ndryshme të Shqipërisë. Ata tani janë në kampin Sulina, ku do të ndajnë kohën e lirë me kolegët e tyre rumunë nga e gjithë bota për një periudhë shtatë ditore. Kampet e ARC tashmë janë një pikë e rëndësishme për komunikimin midis brezit të ri për ruajtjen dhe mësimin e gjuhës dhe traditës.

Këtë vit, rreth 30 fëmijë dhe të rinj nga Shqipëria, të shoqëruar nga dy instruktorë, po qëndrojnë në Sulina me kolegët e tyre nga Franca, Ukraina, Moldavia dhe Maqedonia e Veriut. Në kamp, të rinjve dhe fëmijëve u ofrohet mundësia jo vetëm për të praktikuar gjuhën e tyre, por edhe për të demonstruar aftësitë e tyre artistike dhe sportive. Ky është viti i 11-të i pjesëmarrjes së Shqipërisë në programin ARC.

ARC është pjesë e qeverisjes rumune në periudhën 2018-2020 dhe është pjesë e shtyllës së arsimit “Nicolae Iorga”. Aktivitetet vazhduan me Korçën dhe Tiranën. Konkretisht, në datën 8 korrik, u hap Qendra e Informimit Rumun në Korçë, e para e këtij lloji në Shqipëri. Qendra është një nga format bashkëkohore me anë të së cilës shteti rumun konsolidon kontaktet dhe marrëdhëniet e tij me komunitetet rumune dhe arumunët jashtë kufijve. Rumania ka shumë qendra të tilla në të gjithë botën, veçanërisht aty ku ka komunitete rumune dhe arumune.

Kjo qendër do të shërbejë si një pikë informacioni, njësi inauguruese dhe mësimore e gjuhës, kulturës dhe qytetërimit rumun. Qendra synon të organizojë kurse të gjuhës rumune dhe dialektit arumun në mënyrë që të ruajë gjuhën dhe dialektin arumun në familjet arumune në Korçë dhe në të gjithë komunitetin. Nëpërmjet kësaj Qëndre dhe përmes veprimtarive që do të organizohen, synohet të promovohet kultura, arsimi dhe turizmi në Rumani, si dhe të informimi i publikut për zhvillimet kryesore në fushën sociale, ekonomike dhe publike të Rumanisë, duke përfshirë aspektet që rrjedhin nga statusi i Rumanisë si një vend anëtar e Bashkimit Evropian.

Kjo Qendër është rezultat i një projekti të financuar nga Ministria për Rumunët e Kudogjendur në bashkëpunim me Shoqatën “Organizata për Menaxhim të Destinacionit” në Korçë. Në inaugurim morën pjesë ministrja pë rumunët e kudogjendur, Znj. Natalia-Elena Intotero dhe Sekretari i Shtetit, Z. Viktor Alexeev. Qendra u hap në bashkëpunim me Ambasadën e Rumanisë në Tiranë. Koordinatorja e Qendrës në Korçë është Dr. Lektor. Daniela Stoika. Gjatë vizitës së saj në Shqipëri, ministrja Intotero pati një takim me kryetarin e Bashkisë së Korçës, Z. Sotiraq Filo, të cilin e falënderoi për mbështetjen e tij. Zyrtarja e lartë rumune shprehu angazhimin e saj për të bashkëpunuar me palën shqiptare në zhvillimin e projekteve të përbashkëta. Axhenda e vizitës vazhdoi me takimin e Sekretarit të Shtetit Z. Victor Alexeev me ministrin e shtetit për diasporën, z. Pandeli Majko, në të cilin tema kryesore e bisedimeve ishte komuniteti arumun i Shqipërisë dhe identifikimi i mënyrave për të mbështetur dhe promovuar studimin e dialektit arumun. Sikurse dihet, dialektet janë një trashëgimi e madhe kulturore dhe shumë nga intelektualët arumunë në Shqipëri kanë bërë përpjekje të mëdha për ruajtjen dhe trashëgimin e dialektit arumun.

Në kuadër të takimit, ish-kryeministri shqiptar shprehu vlerësimin e tij të plotë për cilësinë e arsimit rumun, duke nënvizuar faktin se shumë arumunë, por edhe shqiptarë nga Republika e Shqipërisë kanë ndjekur studimet në Rumani dhe më pas janë kthyer në shtëpi, ku kanë përdorur njohuritë e fituara në zhvillimin e projekteve të ndryshme dhe në zhvillimin e vendit. Zyrtari shqiptar falënderoi qeverinë rumune për bursat e studimit të ofruara për komunitetin arumun dhe ato specifike për qytetarët shqiptarë, duke inkurajuar vazhdimësinë dhe rritjen e numrit të tyre. U diskutuan gjithashtu tema lidhur me marrëdhëniet e mira dypalëshe dhe mbështetjen e vazhdueshme të Rumanisë për integrimin e Shqipërisë në familjen e madhe evropiane. Me këtë rast, pala rumune i ftoi autoritetet lokale dhe qendrore shqiptare të vizitonin Rumaninë për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira.

SPONZORIZIM: Për shpallje të vogla që nga viti 2000, vizitoni www.SHPALLJE.biz