Shpallje

Nga Resul Resulaj

Jemi në ditët e para të muajit shtator dhe çdo ditë e më tepër që kalon, çështja BREXIT po bëhet “një patate e nxehtë” për kontinentin e vjetër. Ardhja në korrik të këtij viti në krye të Downing Street e kryeministrit konservator Boris Johnson ose “Trump 2” siç po etiketohet nga mediat botërore dhe siç vetë Trump 1 preferon ta thërrasë, e ka bërë ende më të paqartë dhe më koklavitur divorcin përfundimtar të Bashkimit Evropian me Mbretërinë e Bashkuar.
Mbeten afërsisht dy muaj prej daljes përfundimtare të Mbretërisë së Bashkuar nga unioni, por mjaft çështje kanë mbetur prej muajsh pezull, pa një zgjidhje dhe me pak shpresë në horizont. Nga njëra anë, Johnson i përkrahur edhe nga SHBA, po lakon si opsionin më të mundëshëm daljen pa marrëveshje, ndërkohë nga ana tjetër njëzëri aksi franko-gjerman dhe lidershipi i BE-së është shprehur kundër këtij opsioni. Qëndrimet e Macron dhe Merkel u shprehën javën e shkuar pas vizitës së kryeministrit britanik në Paris dhe Berlin, se nuk do të rinegociojnë paktin e marrëveshjes, pavaresisht se marrëveshja në fuqi e Brukselit me ish-kryeministren May u rrëzua tre herë radhazi në parlamentin britanik. “Muajin tjetër, ne nuk do të negociojmë një marrëveshje të re për daljen”, u shpreh Macron në Elysse. Në të njëjtën linjë mendimi është edhe presidentja e sapozgjedhur e Komisioinit Ursula Von Der Leyen.
Ndonëse disa çështje të nxehta qëndrojnë mbi Mbretërinë e Bashkuar si “shpata” mbi kokën e Demokleout, lidershipi britanik është i vendosur për një largim nga unioni më 31 tetor, duke mos përjashtuar edhe skenarin e daljes pa marrëveshje. Qorrsokaku i daljes po rrotullohet në çështje thelbesore për britanikët siç janë : kontrolli i kufirit me Irlandën dhe qëndrimi ose jo në tregun e përbashkët. Referuar kësaj të fundit një dokument i brendshëm sekret i qeverisë, që po qarkullon së fundmi në media, tregon se ekonomia britanike do të pësojë një kolaps nga mungesa e shumë mallrave dhe reçension në rast të daljes pa një marrëveshje.
Nga ana tjetër qeveria britanike po përballet më një presion të brendshëm në rritje. Pretendenti për kryeministër në radhët e laburistëve Jeremy Corbyn është shprehur kundër daljes pa marrëveshje e cila do te ishte katastrofike për ekonominë e ishullit dhe së bashku me një aleancë me deputetët e lëkundur dhe rebelët nga radhët e konservatorëve kanë mbështetur idenë për një referendum të dytë dhe nisma konkrete në parlamentin britanik.
Këto çështje dhe shumë të tjera kërkojnë kohë që të qartësohen plotësisht, por ajo që mund të parashikojmë është ndikimi që do te ketë BREXIT në institucionet evropiane, veçanërisht në përbërjen e organit të vetëm të zgjedhur të unionit me kompetenca ekskluzive për vendimmarrje të rëndësishme, pra Parlamentit Evropian.
Parlamenti Evropian pritët të ndryshojë përbërjen e tij pas largimit të Mbretërisë së Bashkuar, përbërje e formësuar pas zgjedhjeve të fundmajit të këtij viti. Siç dihet që pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës zgjidhen 751 eurodeputetë në Parlamentin Evropian, 73 i përkasin MB, por sipas rishpërndarjes, 46 vende do te mbeten bosh dhe numri i përgjithshëm i PE pas BREXIT do të jetë me 704 eurodeputetë.
Disa grupime politike do të jenë më shumë dhe disa më pak të kënaqura nga këto ndryshime. Social Demokratët, grupi i dytë më i madh në Parlamentin Evropian do të humbasë 10 eurodeputetë që vijnë nga radhët e laburistëve britanikë; liberalët, grupi i tretë më i madh në PE do të humbasin 17 eurodeputetë nga 108 që kanë aktualisht; të Gjelbrit do të humbasin 11 eurodeputetë nga 74; konservatorët e EFDD do të humbasin 29 nga 44 eurodeputetë që kanë aktualisht dhe me gjasa pritet të shpërbëhet si grup parlamentar gjë që do të sjellë që Lëvizja antiestablishment “5 Yjet’ të mos jetë pjesë e asnjë grupimi politik në PE. Së fundmi, GUE/NGL do të humbasin një vend në Parlamentin Evropian.
Përllogaritjet e mësipërme janë bërë nga lista zyrtare e deputetëve në Parlamentin Evropian dhe reformën e miratuar nga Këshilli Evropian në qershor 2018 në bazë të së cilës caktohej numri i deputetëve pas daljes së MB nga BE si dhe shpërndarja e vendeve në shtete që kishin nënpërfaqësim si Franca, Spanja, Italia, Hollanda, Irlanda etj.
Pritet të ketë edhe grupe politike që do të dalin të “buzëqeshur” nga BREXIT. EPP që është grupimi më i madh politik në PE nuk ka një parti simotër në MB dhe për rrjedhojë nuk do të humbasë asnjë deputet, por do të fitojë disa të tillë. Një pikëpyetje mbetet nëse FIDESZ i Viktor Orban në Hungari do ti qëndroj deklaratës fillestare për t’u larguar me 12 eurodeputetë nga grupi EEP, një zhvillim interesant që pritet të shihet gjatë muajve në vijim. Grupimi i ri nacionalist dhe populist i Identitetit dhe Demokracisë ID ku bëjnë pjesë partia Lega Nord e Salvinit në Itali dhe ajo e Le Pen në Francë dhe shumë parti të tjerë të së djathtës do të bëhet grupi i katërt më i madh duke ja kaluar kështu të gjelbërve. Nga ana tjetër ID do të jetë grupimi më i madh euroskeptik duke kaluar në këtë mënyrë edhe grupit tjetër euroskeptik ECR të cilët për shumë dekada kanë mbajtur flamurin e euroskepticizmit brenda parlamentit evropian.
Ndërkohë që sesioni i ri po fillon për të votuar një sërë çështjesh esenciale për qytetarët evropian dhe për vëndet jo pjesë e BE-se. Një prej çështjeve të mprehta që parlamenti duhet të përballet aktualisht është axhenda e zgjerimit të unionit më vende të reja të ballkanit perëndimor, që prek direkt edhe Shqipërinë.
Në tërësi një gjë është e sigurtë se, qysh prej vitit 1979, ku kemi parlamentin e parë të zgjedhur, kjo është situate më pak e dëshirueshme për parlamentarizmin e Bashkimit Evropian.