Shpallje

Nga Fejzo Subashi

E megjithëse vij shpesh në Kukës, nuk jemi bërë mbarë të takohemi e njihemi, apo të shtrëngojmë duart me njëri-tjetrin i nderuar Kryetar, ku t’ju uroj Juve nga afër suksese si qytetari i parë i Kukësit. Kjo, besoj nuk përbën asnjë pengesë e problem, të paktën për mua që të jem i vëmendshëm, si njeri i medias por edhe si një mbështetës Juaji, në lidhje me punën tuaj si kryetar Bashkie. Isha në Kukës, ashtu si shkoj shpesh dhe kafen e piva në të njëjtin lokal, ku zakonisht takohem me miqtë dhe kolegët e mi.

Kësaj here, miqtë e mi krejt ndryshe nga herët e tjera, kërkonin të rrija më gjatë në Kukës, ku kërkonin të më tregonin se në Kukës kishte filluar era e ndryshimit, era e lëvizjes, e shpresës dhe ajo e besimit… Zakonisht, unë e pi kafenë në të njëjtin vend, po ashtu dhe në Kukës kam kafenë time të preferuar, po në të njëjtin vend. Nuk i lashë shokët të vazhdonin të më flisnin, pasi i pashë me sytë e mi ndryshimet sado te vogla dhe situatën qe po përmirësohej e ndryshonte dukshëm. Natyrisht, unë jam i bindur se Kukësi ka aq halle, probleme dhe shqetësime, të cilat nuk mund të rregullohen, ndërtohen dhe nuk mund të zgjidhen apo të marrin rrugën e duhur sapo Ju u ulet në karrigen e kryetarit, por edhe sikur shkopin magjik të kishe në dorë, vështirë se do zgjidheshin për një ditë,  muaj, apo vit. Por, ju keni dicka shumë të madhe në dorë, ku tu jepni shansin, mundësinë dhe hapësirën banorëve  të Kukësit, përpara se ata t’ju kërkojnë llogari për premtimet Tuaja, ata të mund të jetojnë në Kukës e të mos marrin rrugët e Londrës e më gjerë… 

Nuk mendoj se do bëni mrekulli, ku të “bashkoni” Pashtrikun me Gjanicën, por mund të bëni atë që keni nisur, të ndryshoni mentalitetin, mendësinë dhe ndarjen nga përvoja e praktika e parardhësve Tuaj, të cilët nuk ja kishin idenë detyrës dhe funksionit që kishin… Ai post, është në shërbim të qytetarëve, në menaxhimin sa më të mirë të resurseve dhe prioriteteve që ka ai vend, dhe jo thjesht një rrogtar apo çfar të përfitosh të përfitosh… Ata qytetarë, pavarësisht nëse të kanë apo nuk të kanë votuar, kanë gjithë të drejtën të jetojnë si njerëz, si qytetar, ashtu siç i ka hije dhe dinjitet një kuksiani. 

Mbi të gjitha, ata duan të kenë një qytet të pastër  dhe të marrin minimumin e shërbimit. Ndaj, miqtë e mij nuk pushonin së foluri për punën e bërë nga ju, që ditën e parë në këtë drejtim. Ata flisnin pa pushuar, për pastrimin që i kishit bërë varrezave të qytetit. Natyrisht jo ju, por askush nuk mund ti ngallë dot e ti risjellë përsëri në jetë, por shërbimi ndaj shtëpisë së përjetësisë së tyre, tregon respektin e duhur të pushtetit vendor dhe qytetarinë Tuaj, si kreu i këtij pushteti. Natyra i ka falur Kukësit aq bukuri dhe mundësi relaksi, sa zor i gjen në ndonjë qytet tjetër, ku deri dje ishin mbuluar nga mbeturinat dhe pocaqillëku, ndërsa sot duket sikur ju e kini kthyer ajrin e Kukësit në origjinën e vet… 

Unë, jam i bindur se punën nuk mund ta bësh i vetëm, natyrisht që duhet një staf me njerëz të përkushtuar dhe që e duan Kukësin. Personalisht, nuk kam ndonjë merak në këtë drejtim, pasi edhe miqtë e mij ishin të bindur, se ju si një biznesmen i suksesshëm e dini mirë çfarë kërkoni në lidhje me kontributin e tyre.  Miqtë e mij kuksianë përdorën një shprehje: “Pyll pa derra nuk ka, por edhe sado gjahtar i mirë të jesh, janë ca derra të egër, sidomos në Kukës, që dinë tu shpëtojnë dhe të dalin nga çdo lloj prite”. Veç kësaj, ka nga ata “derra”, që janë mësuar të hanë në çdo stan dhe në të gjitha pyjet… 

Pra, i hodha këto rrjeshta Z. Gjici, jo thjesht për t’ju thënë e uruar Suksese dhe për t’ju përgëzuar për këtë fillim pune si Kryetar Bashkie, e cila  vërtetë më bën të ndjehem mirë për mbështetjen që iu kam dhënë, pa asnjë lloj interesi dhe lidhje me Kukësin, por si njeri i medias.  Sot, ju me këtë fillim pune, me këtë casje të re, me risi dhe inovacion drejtues, jo vetëm keni vërtetuar ato cfarë kam shkruar si njeri i medias, por edhe zërat kundër ndaj shkrimeve dhe postimeve të mia për ju, po shuhen dhe sfumohen në heshtje.

Ju, me këtë casje të re në drejtimin e Kukësit, për ta ndryshuar Kukësin dhe për ti dhënë qytetarëve të tij shpresën, besimin dhe mundësinë për një jetë më të mirë, vërtetuat arsyet e mia përse ju mbështesja, pasi Kukësi dhe kuksianët kishin nevojë për një kryetar, i cili e donte qytetin e tij dhe për më tepër kishte eksperiencën e përvojën e një biznesmeni të sukseshëm, vecanërisht në fushën e menaxhimit.

Risitë Tuaja për Kukësin si qytetar i parë i tij, shtruan edhe një herë nevojën e mesazhit dhe thirrjes time drejtuar gjithë biznesmenëve të suksesshëm kuksianë, të cilët janë të shumtë, të kthejnë jo vetëm sytë dhe mëndjen nga Kukësi, por edhe drejtimin dhe motivin e biznesit të tyre. Ata, mund të jenë shumë të suksesshëm dhe mund të fitojnë shumë e shumë herë më shumë jashtë Kukësit, por kurrë nuk mund të marrin atë që duhet të marrë e të arrijë një biznesmen nëse nuk e shikon biznesin e tij, si mundësi për vendlindjen e tij, vecanërisht për Kukësin, qytetin e parë ndoshta në botë, i cili ishte më afër se kurrë çmimit NOBEL për mikpritjen, zemërgjerësinë dhe cilësi të tjera të cilat po veniten e harrohen…

I nderuar Kryetar! Ju përgëzoj dhe uroj për këtë fillim të mbarë, ashtu siç e dëshironim të ishte kreu i Bashkisë Kukës, dhe shumë faleminderit që nuk ma shpërdoruat dhe çuat dëm penën…