Shpallje

Ditën e shtunë në orën 16:04 Shqipëria u prek nga lëkundjet e një prej tërmeteve më të fuqishëm të 50 viteve të fundit. Tërmeti me magnitudë 5.6 ballë i shkallës Rihter, u pasua nga një numër i madh lëkundjesh të forta, shumica prej të cilave e kishin epiqendrën në detin Adriatik, por edhe në qytetin e Durrësit dhe rrethinat e tij. Ndjeshmëria më e madhe ishte në qytetin e Durrësit, Tiranës dhe Elbasanit, por jo vetëm, edhe në shumë qytete të tjera. 

Paniku mori përmasa shumë të mëdha, dhe shumica e banorëve të dy qyteteve me popullsinë më të madhë ne vend kaluan netët e para nën qiell të hapur. Por cfarë ndodh pas këtij fenomeni natyror, që fatmirësisht nuk u kthye në një fatkeqësi kombëtare? Duket se shumica e njerëzve që e kanë përjetuar janë të prekur emocionalisht, shumë të tjerëve u janë shkatërruar banesat.

Për ta pyetur rreth këtyre ngjarjeve Gazeta Ora ka marrë në intervistë sociologun e njohur Gëzim Tushi i cili është një zë i fuqishëm për inkurajimin e shoqërisë për ta përballuar në formën e duhur këtë situatë kaq delikate. Ai shprehet se shoqëria ka pësuar një traumë të madhe fizike, psikologjike dhe ekzistenciale, por ne duhet të nxjerrim mësime nga kjo situatë.

INTERVISTA E PLOTË

  • Do të doja ta nisja këtë intervistë duke ju pyetur së pari në një prizëm personal, si e keni përjetuar këtë situatë?

    Me shume tronditje personale dhe shqetësim social. Nuk kisha parë kurrë një agresivitet kaq të fortë të një tërmeti si ai i 21 shtatorit. Në fillim mendova se mund të jetë goditur planeti ynë nga ndonjë faktor planetar i jashtëm. Pastaj e mblodha veten sipas parimit që në raste të tilla nuk bëjmë dot asgjë që duam por duhet të bëjmë atë që duhet. Kuptohert interesimi i parë për familjet e dy djemve të mi dhe sidomos për fëmijët e tyre e nipat e mi.  
  • Mendoni se pikërisht në fazën ku duket se fatmirësisht e kemi lënë pas një fatkeqësi natyrore të përmasave shumë të mëdha shoqëria po kalon në një krizë emocionale?

    Padiskutim që shoqëria ka pësuar një traumë të madhe fizike, psikologjike e pse jo edhe ekzistenciale. Por përtej sindromës së shqetësimit social të përbashkët, duhen bërë analiza të diferencuara të problemeve. Disa kanë pësuar dëme materiale në banesat e tyre dhe janë të pasigurt të kthehen për të banuar në to. Për fat të keq disa edhe janë plagosur. Një mësim i madh është se tani jetojmë në një “planet pak të sëmurë” që është bërë i rrëshqitshëm dhe i pasigurt. E bashkuar kjo me një lloj shoqërie të pasigurt, duket që terreni në të cilin jetojmë nuk na lejon të jemi mëndjelehtë dhe të pakujdesshëm për rreziqet që kemi lart dhe pashtë.Administrimi individual i vetes dhe përballimi i traumave dhe stresit të krijuar është një detyrë sa individuale dhe sociale.Natyrisht përvec traumës ne duhet të nxjerrim edhe mësime për të jetuar në këtë botë në të silën siguria nuk është kurrë përfundimtare dhe në të cilën rreziqet janë të pranishëm. Sepse termeti tregoi se askush nuk ka ndonje “PORT” vetjak te sigurt. Mesimi: te forcojme BASHKEPUNIMIN dhe SOLIDARITETIN KOMUNITAR!
  • Nga ajo që ne shohim në terren, kemi vënë re se shumica e indvidëve që e kanë përjetuar këtë ngjarje, janë emocionalisht të prekur dhe të tronditur, edhe pse kanë kaluar thuajse dy ditë. Cili është mendimi juaj lidhur me këtë situatë, dhe sa e rrezikshme është kjo për shoqërinë? 

    Po ndihet që pas kalimit të fazës së parë të panikut social të përgjithshëm kanë dalë në plan të parë përjetimet në përputhje me vecoritë individuale të temperamentit dhe karakterit. Jo të gjithë reagojnë në mënyrë të barabartë apo në përmasa adekuate me përmasat e fenomenit. Ndihet e zgjeruar një ndjenjë pesimizmi social, një interpretim apokaliptik për botën, planetin shoqërinë dhe të ardhmen e tyre. Është koha që në përputhje me shkallën e përjetimit dhe efektet emocionale të secilit të bëhen ndërhyrje stabilizuese të anës psikologjike e shpirtërore, për të kuptuar e përjetuar në mënyrë realistet dimensionet, shkaqet dhe pasojat e asaj që ndodhi. Ekipet multidisiplinare me psikologë, punonjës socialë e psikoterapistë, këto ditë duhet të jenë në eficiencë të plotë dhe sa më pranë njerëzve në nevojë.  
  • Duke ju ndjekur vazhdimisht në rrjetet sociale kemi vënë re domosdoshmërinë njerëzore të shoqërisë për tju dëgjuar dhe lexuar në mesazhet tuaja. Duke ju falenderuar për mundësinë që na dhe për tju pyetur do të doja ta mbyllnim këtë intervistë me një mesazh, një këshillë për të gjithë lexuesit tanë lidhur me situatën ‘Pas- tërmetit’.

    Mesazhi im është: Ne nuk i kemi në dorë fenomenet natyrore. Por ne kemi në dorë të dëgjojmë “zërin e natyrës” dhe të ecim në koherencë me imperativat e saj. Mbi të gjitha të fillojmë të kuptojmë e të reflektojmë faktin që tashmë jetojmë në një planet likuid dhe shoqëri që duhet të respektojë më mirë ligjet e natyrës.