Shpallje

Kryeministri Rama theksoi të mërkurën edhe një herë se negociatat midis Shqipërisë dhe BE-së nuk varen më nga ne.

“Nuk varet nga ne, varet nga të tjera arsye jashtë nesh. Dhe jam shumë skrupuloz, deri sa kemi kaluar edhe Bundestagun, s’ka më asgjë që lidhet me ne. Reformën e BE  dhe vizionin e kësaj reforme për ndryshimin rrënjësor të BE që ka Presidenti i Francës, s’e ndikon as Gjykata Kushtetuese në Shqipëri e as reforma zgjedhore, nuk kanë lidhje. S’janë në sferën e interesave e të vëmendjes së tij. Nuk jam në gjendje të them cili do të jetë qëndrimi i Francës. Po mirëkuptoj plotësisht, që Franca është një vend i madh, ka të drejtë të shohë ndryshe raportin me BE, dhe ka të drejtën të mos e ketë mendjen te ne, pavarësisht sa e padrejtë na duket ne kjo”.

Shefi i qeverisë vuri në dukje se është e rëndësishme që kemi kapërcyer barrierën e Bundestagut, të marrim një PO. “Ka dy kushte, plotësisht që janë plotësisht të realizueshme brenda ketij viti, pastaj të tjerat nuk i kemi ne në dorë”.

Kryeministri nënvizon se integrimi në BE ka shumë anëtarë, shumë interesa që jo gjithmonë përputhen. “Duhet të mësohemi me faktin që ky është një proces me kushte i gjithi, unë qesh kur i dëgjoj jo 2, jo 9. Dy kushtet janë të rëndësishme, pasi na çojnë në tryezë të konferencës ndërqeveritare, pastaj të tjerat, çdo hap, çdo kapitull ka një kusht, për pyjet, për peshqit, për ajrin, për detin”, përfundoi Rama.