Shpallje

Nga Refxhei Tola

Sot u shkarkua nga detyra Agron Hetoja, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Mendoj se do të na duhet edhe shumë kohë për tu njohur me një tjetër drejtues që do ti japë jehonë zërit të një institucioni që i jep jetë sigurisë Kombëtare të Ushqimit. 

Të gjithë ne e dimë sa të pasigurtë jemi në ato që konsumojmë. E shohim cdo ditë në markete, ku na kap paniku i produkteve të skaduara, e shohim edhe në tregjet e fruta perimeve, ku problem është niveli ekstremisht i lartë i pesticideve. Por jam e sigurt se të gjithë biem dakord të themi se në 8 muajt e fundit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit realizoi aksionet më të mëdha të ndërmarra në mbrojtje të konsumatorit.

Agron Hetoja i dha emër një institucioni që praktikisht ka qenë vatër intrigash dhe gjobash, ku papërgjegjshmëria ishte legjitime. Gjatë këtyre 8 muajve nën drejtimin e tij, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bllokoi një numër shumë të madh ngarkesash me produkte mishi që cënonin sigurinë e konsumatorit. U gjobitën një numër shumë i madh subjektesh për mungesë dokumentacioni dhe kushtesh për garantimin e sigurisë ushqimore, por mbi të gjitha u vendos disiplinë në mënyrën e organizimit të subjekteve dhe rregullave përkatëse. 

Të gjitha këto detaje që sipër përmenda janë lehtësisht të verifikueshme. Personalisht i kam dhënë rëndësi të vecantë institucionit të AKU-së, për rolin e rëndësishëm që mban në shoqëri. Pikërisht në momentet kur fillova të mendoj se një drejtues pati mjaftueshëm kurajë për të sulmuar “të paprekshmit” që në kurriz të qytetarëve abuzojnë me sigurinë ushqimore, ky person shkarkohet. 

E megjithatë për kohën dhe hapësirën politike ku jetojmë, them se sduhet të cuditemi. Nuk është hera e parë që një person i suksesshëm largohet nga detyra. Këtë film e kemi parë me ministra e deputetë. Gjithësesi sot me vjen keq që një person që ja doli në pak kohë të mirë menaxhonte një institucion kaq të rëndësishëm dhe ti kthente integritetin institucional, u shkarkua me pretekstin e ristrukturimit të një mekanizmi që përditësimin e fundit e mori jo më larg së 8 muaj më parë!