Shpallje

Nga Marjon Gorica

Njëzet e pesë parti politike në garë! Pesë kandidatë për të udhëhequr qeverinë e Kosovës në katër vitet e ardhshme, dhe asnjë lloj paniku lidhur me qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve! Asnjëra nga partitë politike nuk legjitimoi dhunën dhe denigrimin e institucioneve shtetërore, asnjëra nga partitë politike nuk nxiti mes qytëtarëve agresivitet dhe propagandë force.

Kosova i dha për herë të katërt zë zgjedhjeve demokratike, që u pasqyruan paqësisht në media dhe rrjete sociale. Konkurrenca e ndershme e një fushate elektorale që ngriti në këmbë mijëra qytetarë ishte kryefjala e këtyre zgjedhjeve, ku unë besoj se Kosova, një shtet i ri dhe ende në hapat e para të një rrugëtimi të gjatë, i dha Shëipërisë një mësim demokracie! 

Besimin se vendi mund tja dalë, besimin në politika më të mira, në një të ardhme më të mirë, qytetarët e treguan me një pjesëmarrje prej 44%, një distancë kjo shumë e madhe me numrin e votuesve të zgjedhjeve që ne realizuam disa muaj më parë. Po ashtu dhe numri i votave të numëruara kalon mbi 60%, në një kohë rekord. 

Nuk do të doja të ndalesha te partia politike fituese apo humbëse, për mua sot Kosova fitoi një betejë të rëndësishme demokratike, duke i dhënë zë qytetarëve dhe vendimit të tyre për drejtimin e shtetit më të ri në botë!