Shpallje

Nga Ismail Spahiu

Kosova zhvilloi ditën e djeshme zgjedhjet e përgjithshme të parakohëshme të cilat erdhën pas dorëheqjes që bëri ish-kryeministri Ramush Haradinaj. Një proces i cili tregoi një nivel te lartë demokracie duke nisur që nga zhvillimi i fushatës nga partitë politike, por edhe procesi i votimit dhe numërimit treguan se sistemi zgjedhor në Kosovë funksionon më së miri, gjë e cila i mungon Shqipërisë. Akoma më interesant ishte fakti që KQZ-së së Kosovës iu deshën vetëm 5 orë për të nxjerrë rezultatet paraprake ku ishin numëruar shumica e kutive të cilat shpallën fituese Lëvizjen Vetëvendosje të drejtuar nga Albin Kurti, i cili pritet të jetë Kryeministri i ri i Kosovës.

Shpallja e rezultateve paraprake afër mesnatës bëri që njëri pas tjetrit të dilnin në konferenca drejtuesit e partive më të mëdha politike të cilët ishin dhe kandidatë për postin e kryeministrit në Kosovë dhe të pranonin rezultatin.

Aktivistë të Vetëvendosjes, simpatizantë dhe përkrahës të kësaj Lëvizje si dhe vetë drejtuesi i saj Albin Kurti vërshuan në sheshin “Skënderbej” në Prishtinë për të festuar fitoren.

I gjithë ky proces ndodhi brenda ditës së Dielë, u votua, u numërua, u shpallën dhe u pranuan rezultatet gjë të cilën shqiptarët këndej kufirit as nuk e imagjinojnë dot dhe jo më ta bëjnë, por ja që shembulli na erdhi nga shqiptarët përtej Drinit, duke na dhënë leksione se si zhvillohen zgjedhje, ndërsa në Shqipëri procesi i numërimi nis pas mesnate pasi numëruesit flenë, justifikohen se janë të lodhur, e zgjasin dhe e stërzgjasin për ditë e javë të tëra deri në shpalljen e rezultatit final. Zgjedhjet në Kosovë ishin një leksion dhe një mesazh shkundës për organizatorët e zgjedhjeve në Shqipëri. Ishin model i një demokracie të pastër dhe nga një shtet i cili ka vetëm 12 vite që ka marrë pavarësinë e tij.

Shqiptarët e Kosovës zgjodhën ndryshimin dhe këtë ndryshim ia ofroi Vetëvendosja dhe Albin Kurti, ndërsa shqiptarët e Shqipërisë detyrohen të zgjedhin të keqen më të vogël, sepse historikisht opozita shqiptare këtë ka ofruar për shqiptarët. Për Ramën, “Saliu ishte i keq” dhe kërkonte timoni ndërsa për Bashën “Rama është i keq” dhe vazhdon e mban në pushtet duke u shitur për interesa të veta.

Albin Kurti politikani “rebel” i Kosovës, arriti të riumfonte sepse e ndoqi kauzën e tij dhe nuk e tradhëtoi atë, bëri burg për atë kauzë, kemi parë gaz lotsjellës në Parlament, kemi parë sesi e arrestuan pas protestës së 28 Nëntorit të 2015-tës, ndërkohë opozita shqiptare apo drejtuesi i saj Lulzim Basha as që e kalojnë nëpër mend të bëjnë një gjë të tillë. Pra, pushteti dashka sakrifica.

“Po, unë do të bëhem kryeministri i Kosovës”-deklaronte Albin Kurti, mbrëmjen e 4 Shkurtit në emisionin “A Shoë” të Adi Krastës, pas një takimi me studentë shqiptarë të cilët protestonin. 

Atë mbrëmje kreu i Vetëvendosjes foli për një pranverë shqiptare gjatë 2019-tës.

“Mendoj që edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri duhet të fillojmë të mendojmë dhe të përgatitemi për një pranverë shqiptare. Në kushtet kur ekonomikisht jemi dobët, ushtritë i kemi pothuajse inekzistente e ndodhemi në një udhëkryq edhe kohor edhe hapësinor, edhe si Ballkan, në vitin 2019 është e domosdoshme që populli shqiptar të rishfaqet dhe ta demokratizojë veten në mbrojtje të detyrës së tij kombëtare për bashkim dhe të interesit të tij shtetëror për integrim europian,”,-do të shprehej Albin Kurti, por Pranvera shqiptare erdhi vetëm për shqiptarët e Kosovës pasi ata të Shqipërisë duhet të vuajnë mospasjen e institucioneve, mospasjen e një opozite solide që ti ofrojë zgjidhje dhe jo të keqen më të vogël, mospasjen e një kryeopozitari “rebel” dhe mbi të gjitha mospasjen e një sistemi zgjedhor dhe një procesi normal zgjedhor. Deri kur ti kemi këto le të presim ashtu siç jemi mësuar të bëjmë gjithmonë.