Shpallje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë për Kohavisionin, ka folur për herë të parë pas përfundimit të numërimit të rezultateve nga KQZ-ja.

I pyetur nëse mund të ketë ndryshim të rezultatit mes LVV-së dhe LDK-së, pas numërimit të votave me postë, Kurti tha se vetëm do të thellohet diferenca.

“Jam i bindur se pas numërimit të votave me kusht dhe të diasporës, do të thellohet diferenca. Mërgata jonë ka rreth 12.800 zarfe. Mund të ketë së paku 2-3 fletëvotime në një zarf, kështu që presim thellim të diferencës dhe rezultati i zgjedhjeve nuk ka kurrfarë ndryshimi”, u shpreh Kurti, në këtë intervistë me kryeredaktorin e “Kohës Ditore”, Agron Bajrami.

Kurti foli edhe për kontaktet me LDK-në, duke thënë se ka kontaktuar dje kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën dhe me kandidaten e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmanin, por ka saktësuar se takimi pritet të zhvillohet të enjten.

“Është për ta përshëndetur faktin e daljes masive në zgjedhjet për ndryshim duke e votuar opozitën, por duke i prirë këtij ndryshimi Vetëvendosje. Dje kam kontaktuar me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën dhe me kandidaten për kryeministre nga LDK-ja, Vjosa Osmanin. Kam kërkuar nga ta të takohemi ose sot ose ditëve në vijim, dhe tash, sipas të gjitha gjasave, do të takohemi të enjten që të mos humbim kohë, që të fillojmë bisedimet për koalicion”, deklaroi Kurti.

“Çfarëdo vakuum i konvenon vetëm regjimit të vjetër”