Shpallje

Zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda ka folur rreth ndryshimeve ligjore në Kodin Penal. Ajo i ka cilësuar ato të domosdoshme për legjislacionin shqiptar.

Gjatë një interviste televizive, Voda tha se ndryshimet nuk cenojnë të drejtat e njeriut për të protestuar.

“Mendoj se ndryshimet e Kodit Penal nuk ishin ndryshime që u bënë vetëm për shkak të këtij neni të ri, të këtij parashikimi ligjor në lidhje me pengimin e akseve kryesoreve rrugore, detare apo ajrore pasi neni bën një parashikim më të gjerë, por në fakt kanë qenë një bllok i disa ndryshimeve në Kodin Penal. Pra nuk ka qenë vetëm kjo arsye, kanë qenë disa arsye të cilët prej kohësh ka lindur nevoja për t’i rregulluar ato.  Mendoj që ndoshta eksperienca e protestave të viteve të fundit ka treguar shpeshherë dhe ndoshta është abuzuar me të drejtën e protestës apo të tubimit të lirë duke cenuar në një farë mënyrë, të drejtën e lëvizjes së lirë të shtetasve të tjerë. Pra të mos harrojmë shprehjen e famshme që liria ime përfundon aty ku fillon liria e tjetrit”.

Sipas Vodës, qytetarët nuk mund të pengohen në protestat e tyre, por duke respektuar edhe shtetasit që nuk duan të jenë pjesë e tubimeve.

“I vetmi qëllim ka qenë rregullimi në mënyrë sa më të detajuar dhe pa probleme për pjesën tjetër të qytetarëve që nuk protestojnë, në mënyrë që tubimet të zhvillohen, sigurisht që, qytetarët kanë të drejtën e tyre, por në mënyrë që të mos pengojnë jetën normale të vendit. Të tubosh dhe të protestosh në mënyrë të lirë edhe të ligjshme, sigurisht që ka disa kritere dhe një ligj specifik që rregullon tubimin, që është ligji për tubimin në të gjithë Shqipërinë. Sigurisht ka pedonale, kemi sheshe të mëdha, historikisht njihen sheshet e mëdhaja ku janë bërë gjithmonë protesta, sheshi “Skënderbej” apo sheshi “Nënë Tereza”, pra ka vende publike të njohura, në mënyrë që të themi që indinjata dhe protesta të jetë publikë për të gjithë ata qytetarët që mund të protestojnë, por jo të pengohet lëvizja dhe qarkullimi i mjeteve, pra i qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Absolutisht, unë nuk mendoj se kjo sjell një cenim të së drejtës për një tubim paqësor”, -u shpreh ndër të tjera Voda.