Shpallje

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherazi fituesi i zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë, Albin Kurti, së fundmi ka dhënë një intervistë për gazetën britanike “The Guardian”. Ndër të tjera Kurti ka komentuar edhe qëndrimin e BE-së ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për mos-hapjen e negociatave.

Sipas Kurtit qëndrimi i BE-së mund t’i dëmtojë gjasat e Kosovës për të arritur një marrëveshje me Serbinë. Kujtojmë se kjo e fundit ka refuzuar që ta njohë pavarësinë e Kosovës që nga përfundimi i luftës së viteve 98-99.

“Bashkimi Evropian është krijuar si kundërpërgjigje ndaj fashizmit, por tash po ikën i frikësuar përballë populistëve dhe fashizmit. Ju nuk mund të thoni se fillimisht kemi nevojë për reforma të brendshme në BE dhe më pas zgjerim të jashtëm, sepse këto shkojnë dorë për dore. Evropa është një projekt aq i rëndësishëm historik, saqë asnjë individ nuk mund të jetë autori i tij, nuk mund ta drejtojë apo ta udhëheqë atë. Kemi parë gjithmonë që kur Jean-Claude Juncker thoshte se nuk do të ketë zgjerim në pesë vjetët e ardhshëm, gjendja në Ballkan përkeqësohej shumë. Po, Bashkimi Evropian është i rëndësishëm për Ballkanin, por Ballkani është shumë i rëndësishëm për Bashkimin Evropian. Berlini dhe Parisi duhet ta dinë këtë mirë dhe është shumë pikëlluese për të gjithë ne që ata e kanë harruar këtë. Brenda disa dekadash, historianët do të shkruajnë se nuk kanë qenë dy luftëra botërore, por vetëm një luftë botërore me dy episode, ku gjithçka filloi në Sarajevë”, deklaroi Kurti.

Ai paralajmëroi se taksa 100 për qind, e vënë ndaj mallrave të Serbisë nga paraardhësi i tij, do të largohet vetëm nëse ka masa të plota reciproke për lejimin e tregtisë së mallrave kosovare në Serbi.

“Nëse ata duan ta nisin dialogun, ata duhet që të mënyrë eksplicite t’i ndalin shpifjet rreth të drejtës sonë për shtetësi. Serbia duhet të përballet me të kaluarën e saj, e jo t’i shikojë Kosovën e Shqipërinë me dylbi ushtarake. Serbia ka nevojë për një lloj analize të vetvetes”, shtoi Kurti.