Shpallje

Një incident i rëndë është regjistruar ditën e djeshme gjatë ndeshjes Teuta-Luftëtari, e vlefshme për javën e pestë të Kategorisë Superiore U-17.

Ndeshja e cila u luajt në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, është luajtur vetëm 45 minuta, pasi gjatë pushimit mes pjesëve, teksa arbitrat po u drejtoheshin dhomave të zhveshjes, disa persona i kanë dhunuar.

Sipas “Panorama Sport”, shkëndijat e para të sherrit nisën në minutën e 28-të, kur gjyqtari kryesor nga Vlora, Klajdi Qendraj, akordoi një penallti në favor të Luftëtarit.

Jashtë rrethimit të fushës, një prej shikuesve nisi të ofendonte në distancë arbitrin. Në kohën që përfundoi pjesa e parë, spektatori që ofendoi arbitrin kërkoi të sqarohej jashtë rrethimit të fushës me të.

Këtu situata precipitoi dhe anësori Çela e kryesori Qendraj u goditën me grushte, pasi në ndihmë të spektatorit që u bë protagonist erdhën edhe dy-tre persona të tjerë. Stafi i Teutës u mundua të bënte gjithçka për të parandaluar këtë incident.

Ishte ardhja e forcave të rendit ajo e cila qetësoi situatën. Por si pasojë e kushteve të rënda psikologjike në të cilat gjendeshin arbitrat, ata vendosën që pjesa e dytë të mos vazhdonte.