Shpallje

Nëse ka një institucion që çalon dhe nuk mbulon dot as shërbimin minimal për qytetarët shqiptarë, ajo është Ministria e Shëndetësisë.

Mjafton një vizitë në qendrat spitalore, për të parë kushtet skandaloze dhe mizerabël që ofron qeveria shqiptare për pacientët.

E tillë është situata edhe në qendrën spitalore më të madhe në vend, në QSUT, për të mos folur për spitalet rajonale apo për qendrat shëndetësore në zonat e thella.

Duke dashur që të mbulojë diellin me shoshë, ministrja Ogerta Manastirliu shet live sukseset e saj, që vetëm suksese nuk mund të quhen.

Në videot që shpërndan Manastirliu, duket një shëndetësi tjetër nga ajo që paraqitet në realitet.

Sot, në pavionin e Onkologjikut mungojnë ilaçet bazë që kanë në dorë jetën e pacientëve. Jo vetëm kaq, por infektivi dhe pediatria që janë të tejmbushura nga virozat e stinës, nuk ofrojnë shërbim spitalor për të gjithë pacientët të cilët shpesh herë presin në këmbë ose jashtë deri sa të lirohet një vend.

Urgjenca e QSUT-së është e tejmbushur dhe pacientët që shkojnë për ndihmën e parë, shpesh herë përfundojnë në koridore duke mos marrë shërbimin në kohën e duhur.

Skandali thellohet më tej kur nëpër spitale rrjeta e operacioneve shitet nga 100 euro nën dorë, kjo për shkak se ministria e Shëndetësisë nuk ka fonde për të tilla elementë.

Pacientëve u duhet të blejnë nga 100 euro nën dorë rrjetën për operacione të cilat i bëjnë në spitalet rajonale, gjë e cila duhet te garantohet nga spitali.  Madje për ironi, shpesh herë pacientët përfundojnë të blejnë edhe bisturitë, pasi spitali nuk ka të tilla.

Nuk e dimë sesi mund ti përgjigjet këtyre kushteve ministrja Manastirliu, realitet i cili është shumë larg deklaratave dhe videove që ajo realizon nga zyra e saj komode.