Shpallje

Pas akuzave të opozitës së bashkuar për ligjin për rininë ka ardhur dhe reagimi i ministres së Arsimit, Besa Shahini.

Ajo i ka konsideruar akuzat e opozitës si stisje dhe sipas saj, ky ligj ka të bëjë me përfshirjen e të rinjve në organizata rinore njësoj si në shtetet evropiane.

Postimi i plotë i ministres:

“Për herë të parë, ligji “për Rininë” mundëson financimin publik të organizatave rinore dhe për të rinjtë me të vetmin qëllim që të stimulohet aktivizmi rinor, vetë-organizimi dhe angazhimi rinor në të gjithë Shqipërinë. Gjithashtu, ligji “për Rininë” obligon institucionet qeverisëse të përfshijnë të rinjtë në vendimmarrje.

Të dy këta elementë të domosdoshëm për fuqizimin e të rinjve kanë qenë kërkesë e hershme e OJF-ve rinore.

Në vitin 2017-të, një draft i parë i ligjit është hartuar nga MASR së bashku me OJF-të dhe e mbështetur nga ekspertë të UNFPA-së. Në vitin 2018-të është konsultuar me mijëra të rinj në të gjithë Shqipërinë dhe me OJF-të. Në 2019-tën ka kaluar nëpër ministritë përkatëse, është diskutuar në komisionet përkatëse parlamentare, është redaktuar për të përfshirë komentet shtesë të OJF-ve dhe dje kaloi në parlament. Si mund të thuhet që ligji paska kaluar shpejt dhe pa u konsultuar?

Po lexoj gjithë çfarë reagimesh opozitare nëpër portale, të cilat janë në rastin më të mirë të keq-informuara.

Të qartësojmë diçka: ligji nuk ka për qëllim adresimin e punësimit të të rinjve dhe as arsimimin formal, pasi këto fusha rregullohen me ligje e politika të tjera (ligji për nxitjen e punësimit; ligji për Arsimin e Lartë; ligji për Arsimin Parauniversitar; Pakti për Universitetin; portali i punësimit të studentëve në administratë: punetembare.al etj.).

Ky ligj siguron përfaqësim në vendimmarrje dhe financim publik të nismave rinore. Ky është një hap pozitiv për fuqizimin e të rinjve dhe afrimit të tyre një hap më afër bashkëmoshatarëve në BE. Sa për krahasim, gjysma e të rinjve në BE janë anëtarë të organizatave rinore dhe gati po aq angazhohen vullnetarisht për të mirën e komunitetit ku jetojnë apo mësojnë. Këto synojmë për të rinjtë shqiptarë gjithashtu!”, shkruan Shahini.