Shpallje

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vijuar takimin e tij me të rinjtë teksa sot radhën e kishte Korça.

Në turin e quajtur  “Rrugëtimi për Shqipërinë”, Basha falenderoi të rinjtë korçarë për pritjen duke thënë se e sheh shpresën dhe rrugëdaljen nga kriza në të cilën ndodhet vendi tek sytë e të rinjve.

“ Me gjithë këtë gjendje që mbizotëron kudo, ja tek vijmë në një sallë si kjo. E para flisni me pjesëmarrjen tuaj. Sado të rënda të jenë të vërtetat e përditshme të shqiptarëve, familjeve tuaja ka një shpresë. Mjafton të shohësh në sytë e të rinjve shqiptarë për të parë dritën e shpresës që të gjesh rrugën e daljes nga kjo krizë. Ju jeni forca, frymëzimi, faktori që do të nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Do jeni dhe përfituesi kryesor i dhënies fund kësaj krize dhe përfituesi i parë i çuarjes së Shqipërisë drejt stacionit të saj ta bëjmë Shqipërinë si gjithë europa. Numrat e largimit nga Shqipëria janë të frikshëm. Vetëm vitin e kaluar kanë ikur në emigracion 38 mijë të rinj.

Modeli që po na qeveris është modeli i gabuar. Zotimi im para jush, zotimi i PD është që do rikthejmë shpresën për të ndërtuar një jetë më të mirë këtu në Korçën tonë, në Shqipërinë tonë.
Duhet të dimë të dëgjojmë dhe të mësojmë nga ato që dëgjojmë. Vendimmarrësit e sotëm e ata të nesërm, dhuntinë e parë duhet të kenë të dëgjojnë. Ndaj jam sot këtu”, theksoi Basha.

Gjithashtu nuk mungoi dhe një koment për arrestimin e Redjan Rrajës si një nga atentatorët e prokurorit Arjan Ndoj. Kreu i PD tha se ai nuk është i panjohur por është pjesë e bandave të pushtetit, teksa shtoi se sulmi është një ‘atentat mafioz’. Basha e cilësoi një lajm të rëndë që nuk i bën mirë gjendjes se depresionit ku sipas tij ndodhet vendi.

“Unë po vij nga Tirana ku siç e keni ndjekur sot ka pasur një tjetër skandal, disa skandale por njëri që vazhdon e vazhdon është zbuluar siç thamë edhe para 4 ditësh është zbuluar një nga autorët që besohet se ka qenë pjesë e atentatit mafioz dhe nuk është askush i panjohur, është pjesë e pushtetit, pjesë e bandave të pushtetit. E gjitha është luftë bandash, bandat në pushtet që luftojnë me njëra-tjetrën për të grabitur më shumë. Natyrisht ky është një lajm i rëndë, i cili nuk i bën aspak mirë gjendjes së vendit që është një gjendje e depresuar, depresioni psikologjik, social, mbi të gjitha ekonomik”, deklaroi ai.

 

SPONZORIZIM: Për shpallje të vogla që nga viti 2000, vizitoni www.SHPALLJE.biz