Shpallje

‘Atentati që iu bë prokurorit të Durrësit, tregon luftë ne bandave që mbajnë në pushtet Edi Ramën’. Kjo ka qënë akuza e ish-deputetit demokrat, Gent Strazimiri, i cili nga selia blu ka komentuar ngjarjen që tronditi opinionin shqiptar para 5 ditëve.

Sipas Strazimirit, i arrestuari si autor i dyshuar i atentatit, Redjan Rraja, është ushtar i bandës së Edi Ramës në Fushë Krujë dhe ka siguruar vota që ky të bëhej kryeministër.

Deklarata e plotë:

Atentati mafioz pak ditë më parë ndaj një prokurori dhe atyre që e shoqëronin nuk është thjesht një krim më shumë në statistikat e krimit shqiptar. Atentati është luftë mes bandave që kanë sjellë dhe mbajnë në pushtet Edi Ramën.

Një nga antentatorët e dyshuar, Redjan Rraja, i afërm i deputetit socialist Rrahman Rraja, është ushtar i bandës së Edi Ramës në Fushë Krujë.

Ai ka siguruar vota që Edi Rama të bëhet kryeministër, prandaj ai kishte statusin e të paprekshmit, kur nënkomisar Emiljano Nuhu e denoncoi publikisht, bashkë me djalin e deputetit Rraja, si të përfshirë në çështjen Xhisiela.

Në atë kohë, Edi Rama masakroi me akuza oficerin e policisë dhe mbrojti atentatorin Rraja me gjithë kriminelët e tjerë që i sigurojnë pushtetin.

Të njëjtën gjë bëri Edi Rama edhe në rastin e Dritan Zaganit. Sulmoi personalisht komisarin që kishte denoncuar trafikun e drogës me makinën e ministrit të brendshëm dhe mbajti në qeveri Saimir Tahirin.

Përfshirja e banditëve të Edi Ramës në atentate mafioze pasi ky i ka mbrojtur publikisht ata, fakton se shteti i ngritur prej Edi Ramës është thellësisht i kriminalizuar.

Në narko-shtetin e Edi Ramës trafikantët e drogës shndërrohen në biznesmenë të nderuar, në ndërtues resortesh ne bregdet mbi prona shtetërore të tjetërsuara, dhe kur u prishen pazaret për grabitjen e pasurive të vendit, bandat që sollën dhe mbajnë në pushtet Edi Ramën, godasin njëra-tjetrën në atentate mafioze.

Asnjë plan special të propaganduar nga Edi Rama për luftën kundër krimit të organizuar, nuk ka për të funksionuar, sepse ai është vetë kreu i organizatës kriminale “Kap Ça t’Kapësh”.

Asnjë plan special nuk ka për të funksionuar, përsa kohë ai kalon nga parlamenti i Edi Ramës, Rrahman Rrajës, Jurgis Çyrbjes, Taulant Yarisit dhe dhjetëra deputetëve të tjerë, mandatet e të cilëve janë siguruar nga krimi i organizuar.

Shërimi i vetëm për vendin është clirimi i shtetit nga Edi Rama dhe narko-banda e tij. Është ndarja e politikës nga krimi. Këtë gjë ka 6 vjet që kërkon Bashkimi Evropian, kete gje kodifikoi edhe Bundestagu gjerman me 9 kushtet për hapjen e negociatave.