Shpallje

Një tjetër shqiptar, është arrestuar për vrasje në Milano të Italisë dhe është ekstraduar në Shqipëri, ku do të vuajë dënimin për krimin që ka bërë përpara 10 viteve.

Sipas njoftimit të policisë, Interpol Tirana ka kryer sot ekstradimin nga Italia drejt Shqipërisë të 28-vjeçarit, Etjen Cani, i kërkuar nga drejtësia për dy vrasje.

Mësohet se i riu është autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më datë 15.08.2012, në qytetin e Elbasanit, ku janë vrarë me armë zjarri ne banese babë e bir, Nezir e Gentian Beqiri.

Njoftimi i plote:

Një tjetër i kërkuar bie në pranga, falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me homologët.

Kapet në Itali dhe ekstradohet drejt Shqipërisë 28-vjeçari nga Elbasani, i kërkuar për vrasje.

Specialistët e Interpol Tirana bënë ekstradimin nga Milano, Itali drejt vendit tonë të shtetasit shqiptar E. C. 28 vjeç, banues në Elbasan.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Z.Q.K Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese, në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Shtetasi E. C. është autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më datë 15.08.2012, në qytetin e Elbasanit, ku janë vrarë me armë zjarri babë e bir, shtetasit G. B. dhe N. B.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.