Shpallje

Nëndrejtori i SHÇBA-së, Oltion Shehu, nuk ka justifikuardot pasurinë e tij, çka ka bërë që të mos kalojë me sukses Vettingun dhe të shkarkohet nga detyra.

Shehu është  personi i parë i listës së zyrtarëve të policise që iu nënshtrua procesit të vettingut.

Shehu pati vështirësi për të justifikuar me burime të ligjshme pasurinë e tij e përbërë nga një shtëpi dy-katëshe dhe një makinë, ndërsa u justifikua para trupës gjykuese me punën në sektorin informal të ekonomisë në profesione të ndryshme si punonjës bingoje, kamarier dhe menaxher hoteli. Trupa e vlerësimit e KJV përbëhej nga Ela Kerka kryesuese, Marjeta Gjela relatore dhe Ana Kapaj, anëtare.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se Shehu zotëron një banesë dy-katëshe në Tiranë me sipërfaqe 161.6 m2. Si burim krijimi të kësaj pasurie ai ka deklaruar dy kredi në vlerën 500 mijë lekë dhe një 1 milionë lekë, si edhe kursime në vlerën 2.5 milionë lekë. Komisioni ka konstatuar se ndërtimi i kësaj banese ka nisur në vitin 2003 dhe është përfunduar në vitin 2008.

Relatorja Gjela tha se Shehu ka shpjeguar për Komisionin se në certifikatën e pronësisë, sipërfaqja 77 m2 përfaqëson gjurmën e ndërtesës, pasi pjesa tjetër e sipërfaqes prej 16.6 m2 i përket katit të dytë.

Komisioni ka konfirmuar dy kreditë e marra prej efektivit të policisë, Shehu, por identifikon pamundësi për nisjen e ndërtimit të banesës në vitin 2003. Sipas relatores, të ardhurat e bashkëshortes së subjektit për periudhën 2000-2003 kanë qenë rreth 280 mijë lekë. Ndërsa të Shehut kanë qenë 104 mijë lekë. Komisioni konkludon se subjekti nuk ka pasur mundësi për të krijuar kursime të mjaftueshme për të nisur ndërtimin e banesës, ashtu si ai ka pretenduar.

“Subjekti sqaroi se nuk ka dokumente ligjore për të vërtetuar të ardhurat dhe kursimet deri në vitin 2003, por ka thënë se ka punuar në informalitet tek bingo Ylli në Tiranë në vitet 1996-1997 duke pretenduar se ka siguruar rreth 2.5 milionë lekë nga të cilat ka kursyer 1 milionë”, pohoi relatorja Gjela.

Ajo tha se Shehu ka deklaruar para Komisionit se ka punuar në vitet e mëvonshme edhe si kamarier në një lokal e menaxher në një hotel ku ka siguruar përkatësisht 1 milionë dhe 1.3 milionë lekë.

Ndërkohë, nuk janë konstatuar problematika lidhur me blerjen e një autoveture tip BENZ në vitin 2015. Edhe për pastërtinë e figurës nuk ka rezultuar që ai të ketë qenë i përfshirë në aktivitete të paligjshme apo të ketë pasur kontakte të papërshtatshme me persona me lidhje me krimin e organizuar.  Sipas relatores Gjela, Shehu ka kaluar me sukses edhe testin psikologjik.

Mbrojtësi i Shehut pretendoi se hetimi për pasurinë duhej të niste që prej vitit 2014, kur ai kishte nisur të punonte në Policinë e Shtetit. “Më parë ai ka punuar në sektorin privat dhe e ka mësuar vonë se nuk i ishin paguar sigurimet”, shpjegoi mbrojtësi i Shehut.

SPONZORIZIM: Për shpallje të vogla që nga viti 2000, vizitoni www.SHPALLJE.biz