Shpallje

Në fjalën e tij në aktivitetin që u zhvillua për zgjedhjen e delegatëve të partisë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se PS-ja kujdeset çdo ditë që të fitojë besimin e qytetarëve në çdo zonë të kryeqytetit.

“Asnjë socialist i mirë nuk e merr për të mirëqenë fitoren, nuk luan me besimin e njerëzve, por lufton çdo ditë, sikur është beteja jonë më e rëndësishme, për ta fituar atë ditë. Ne nuk na duhet të fitojmë njëherë në 4 vite, ne duhet të fitojmë besimin, mendjen, zemrat e njerëzve përditë. Ne kemi bërë më shumë se të tjerët, por një socialist i vërtetë shqetësohet edhe për kopshtin me drekë dhe lufton sikur ajo të jetë beteja jonë finale”, nënvizoi Veliaj.

Teksa u ndal edhe në bojkotin që opozita i bëri jetës parlamentare dhe përgjegjësive të saj para vendit, Veliaj theksoi se tashmë mazhoranca ka një detyrë shumë herë më të madhe për të mos rënë në grackën e vetkënaqësisë.

 “Unë e di nga puna ime, kryeministri ma ka treguar disa here nga puna e tij, dhe jam i sigurtë edhe ministrat dhe deputetët, është më e vështirë të qeverisësh pa kundërshtarët. Kur opozita ishte prezente, sado destruktive, sado me stërkëmbësha, sado me intriga, me shpifje, gjithsesi ishte një forcë presioni. Nga eksperienca ime ma bënte edhe mua punën më të lehtë, se vinte re ku kishim gabimet në bashki ose gjërat që mund të përmirësoheshin, qe ndoshta na kishin dalë nga radari. Kur s’e ke këtë, duhet të bësh vetë edhe kritikun e skuadrës tënde. Sepse nëse e lëmë këtë vakum dhe nuk reflektojmë mbi çfarë mund të bëjmë më mirë, atëherë do të biem në një grackë vetkënaqësie. Ndaj detyra e delegatëve është të na bëjnë edhe oponencë”, shtoi ai