Për situatën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese, ka reaguar edhe Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Sipas Xhafajt, gërmat e Kushtetutës janë lexuar keq dhe për këtë arsye duhet një reagim.

“Kur arsyeja mungon, fryma dhe gërma e kushtetutës lexohen keq, duhet reagim. Kryesorja me mekanizma politikë, por edhe me veprime të mirëmenduara ligjore, institucionale dhe gjyqësore. Nëse duhet ka edhe precedentë e ekspertizë ndërkombëtare.

Zbatimi i Reformës kërkon axhendë të qartë veprimi, angazhim e përgjegjshmëri dhe kryesorja objektivitet e paanshmëri. Situata e koklavitur, jo për faj të kushtetutës e ligjit, por gabimeve në zbatim. Pasojë e mendjeve të nxehta e qëllimkëqija”, shkruan Xhafaj.

Për ish-ministrin e Brendshëm, veprimi i ndërmarrë nga Presidenti për dekretimin e Marsida Xhaferllarit anëtare të Gjykatës Kushtetuese nuk është i drejtë.

Sipas tij, Xhaferllari nuk i plotëson kushtet dhe kriteret për të qenë anëtare e saj, sepse u përfshi në listë falë votimit klientelist dhe lidhjeve shoqërore brenda KED.

“Kushtetuta që Presidenti e ka votuar, por nuk e ka shkruar, është produkt i Ekspertizës më të mirë vendase e SHBA, Europës dhe Gjermanisë. Opinioni i KV ka theksuar qartë domosdoshmërinë e afateve dhe mekanizmave zhbllokues. Partnerët bashkëhartues të kushtetutës e ligjit të GjK duhet të reagojnë qartë.

Presidenti, sipas meje, në këtë rast nuk ka të drejtë. Ka nxjerrë një dekret të paligjshëm në tejkalim të afatit ligjor. Nuk të bën betimi gjyqtare, por kushtetueshmëria e zgjedhjes nga organi që e gëzon këtë të drejtë, me afatet e procedurën e duhur.

Në bindjen time znj.Xhaferllari nuk mund të jetë anëtare e GjK. Nuk plotëson kushtet dhe kriteret për të qenë e tillë. Votimi klientelist dhe lidhjet shoqërore brenda KED e përfshinë në listë ish Kryeinspektoren e KLD së vjetër që degradoi sistemin.

Në web e GjK znj.Tusha ka botuar listën e anëtarëve të rinj! Pyetja është kë të besojmë, znj.Tusha n/kryetare të KED që ka shpallur znj.Vorpsi fituese apo znj.Tusha gjyqtare që nuk respekton as vendimin e organit që drejton. Në cilin kuorum të GjK u bazua kjo vendimmarrje?” përfundon shkrimin e tij në Twitter, ish-ministri Fatmir Xhafaj.

SPONZORIZIM: Për shpallje të vogla që nga viti 2000, vizitoni www.SHPALLJE.biz