Nga Fjorda Llukmani

Nuk para reagoj për ngjarje negative që ndodhin sepse s’dua ti mëshoj akoma më shumë. Por një gjë më vjen keq dhe e kam për mediat online: si s’ju vjen zor që akoma merreni me Adelën? Për më tepër si mund të nxirrni konkluzione se cilat ishin arsyet e vetëvrasjes?

A e dini që numrin më të lartë të vetëvrasjeve e kanë vendet më të zhvilluara në botë si Norvegjia dhe Suedia? Hë po atje pse e vrasin veten njerëzit, ngaqë s’gjejnë punë, s’kanë dashnor apo janë pa shtëpi? Si ka mundësi more që do i gjeni një yckël apo shpjegim çdo gjëje? Mirë kjo po më ikën zari me komente të tipit: “Se dinte e gjora se duhet të jesh dashnorja e ndonjë drejtori që paguhet për të bërë kurvarin.” Dhe ky sipas lajmeve koment i aktorit Mirush Kabashi, të cilin e respektoja derisa lexova këto rreshta. Më fal zoti Mirush, po fëmijët e tu si kanë gjetur punë, kurjoze jam? Me dashnor, me mik apo me lekë? Se sipas jush s’ka shans të gjesh nëpërmjet mënyrave të tjera.

Jeni ju që e fusni rininë në mendime të këqija duke I ofruar lajme të rreme. Merreni gjithë javën me një fenomen që s’duhet t’i japësh kaq shumë zë. Në vend që të edukoni të rinjtë tu tregoni raste suksesi që kanë ecur nga zero, I mbushni më tepër me material se çdo gjë blihet me lekë e me dashnorë. Pse unë dashnorja e kujt isha që eca në jetë? E shumë goca që kam shoqe e që njoh virtualisht e më tregojnë se ja kanë dalë pavarësisht çdo gjëje.

Në fakt Adela, çfarëdo halli të kesh pasur unë vetëvrasjen nuk ta fal! Më vjen keq për ty që s’pata mundësi të të jap një zgjidhje, por më shumë më dhimbsen ata të rinj që kalojnë plot ditë të zeza e prapë zgjohen në mëngjes me shpresë se çdo gjë do rregullohet. Kurse ti Adela për t’i shpëtuar përgjegjësive i re shkurt fare. Tani je rehat sepse nuk ndjen gjë, zëre se po fle gjumë nga i cili nuk do zgjohesh. S’mund të gjykoj anën tënde emocionale, por di të them që të gjithë ne kemi kaluar probleme. E në fakt Adela po s’deshe veten tënde, pse duhet të më vijë mua keq për ty?

Unë nuk viktimizohem kurrë, megjithëse kam pasur humbje në jetë njëra pas tjetrës. Kur isha 14 vjeç dhe motra ime 6 vjeç, humbëm babin nga një sëmundje e pashërueshme. Atëherë më ra tavani mbi kokë e mendoja qe s’do kishte kurrë ditë të bardha për mua. As nuk dua ta imagjinoj si na fliste mami pozitivisht për jetën në kohëra aq të vështira. “Perëndia e dënon vetëvrasjen”- më thoshtë ajo. Prapë mami na rriti si dy goca të forta duke mos ja ulur kokën askujt e mos ti jemi borxh njeriu për sukseset tona. Shumë kollaj mund të kishim rënë pre e depresionit apo vetëvrasjes por të treja mendonim: “Gjithmonë ka edhe më keq”.

Pavarësisht humbjeve të tjera pas babit, uljeve e ngritjeve, sigurisht dhe unë kam pasur ditë ku kam qenë shumë e rënë emocionalisht. Fakti që askush nuk flet për këto gjëra në rrjete sociale s’do të thotë që nuk na ndodhin. Kur të vdes një person I dashur të gjithë thonë “Jeta vazhdon”, e në ato momente mendon “Çfarë thotë ky budallai?” Por jeta vazhdon me të vërtetë, e megjithëse pa babin unë kam kaluar momente shumë të gëzueshme e kam korrur suksese plot.

Fakti që në Instagram ndiqni femrat që mbahen nga dashnorët sdo të thotë që jemi të gjitha njësoj. Unë jam refuzuar shumë gjatë kërkimeve për punë. Më kanë thënë që s’vlej, që s’të japim rrogë ose që s’ke për t’ia dalë. Kam punuar dhe pa marrë lek që të mësoja se s’kisha zgjidhje tjetër. Shumë pak njerëz besonin tek unë, e shpesh më shikonin si të mangët meqë u rrita me një prind. Ama prapë eca pa dashnor, pa dhënë ryshfete për të hyrë në punë. Kështu si unë ka plot, mos kujtoni se jam e vetmja. Kush përpiqet e gjen mundësinë. Njeriu lirohet kur qan, por kurrë mos e le veten aq poshtë sa të të mbys hidhërimi. Gjëja më e keqe në jetë është mos të jesh mirë me shëndet, të tjerat rregullohen. Çfarë nuk të vret të bën më të fortë! Mos e harro kurrë ti që po me lexon.

Ka dalë nami që në Shqipëri s’gjen dot punë pa miq. Gjen sa të duash, po të lodhesh mjaftueshëm. Më thuaj sa CV ke dërguar e s’të kanë kthyer një përgjigje për intervistë? Në çdo kompani qoftë shtetërore apo private nuk mbahen vetëm njerëz me miq për kukulla, por duhen edhe punëtorë që ja dinë profesionit. Ai ose ajo mund të jesh ti vetëm nëse nuk lodhesh kurrë së marri refuzime. Më besoni t’ju them se dhe kur takoj njerëz në Vjenë më thonë: Duhet të njohësh dikë që të të sugjerojnë për punë, ndryshe rrallë të kthejnë përgjigje me email. Kanë të drejtë ama unë nuk ndalem së provuari të gjitha mënyrat. Bile dy ditë shkova të punoja dhe banakiere e kamariere në një lokal, por s’më morën se nuk flisja gjermanisht. Po kush ka turp nga puna një herë?

Po ti Adela e ju Adelat e tjera që po më lexoni e keni të njëjtat mendime a mendoni se po provoni mjaftueshëm? A jeni të gatshëm të punoni qoftë pastruese apo kamarjere?  Mbase po mbase jo, por s’dua ta dëgjoj më si justikim që vetëvrasja jote qe për shkak të provimeve e punës. Të gjithë kemi kaluar provime e kemi qenë pa lekë, por nuk vdiqëm. E vetmja gjë që më vjen keq nga kjo histori janë prindërit e Adelës, të cilët e vuajnë më shumë nga të gjithë. Kurse ti s’më dhimbsesh. Vras mendjen si të ndihmoj ato që kanë të njëjtat mendime si ty, pa shkuar në pikën e vetëvrasjes. Jam këtu për cdo vajzë që ka mendime negative në kokë, kush të dojë të më shkruajë më gjen kollaj.

Ndërsa për mediat injorante kam vetëm një pyetje: “Meqë ju vjen kaq keq që rinia s’gjen punë, pse nuk I nxisni me modele suksesi apo duke publikuar lajmërime pune?” Po ju s’doni ta dini more shikoni vetëm veten tuaj. Kohët e fundit kam kuptuar që të gjithë kanë nevojë për të folur, e për tu shprehur diku. Po të dëgjojmë më shumë, e të flasim më pak mbase do të ndihmojmë dikë që ka rënë emocionalisht. Gjithmonë I dëgjoj njerëzit kur më qahen edhe nëse ankohen për broçkulla dashuriçkash. Them me vete: “Pale e shkreta s’ka me kë të flasë, su bë çamti se e dëgjove e I dhe ndonjë këshillë.”

Dhe jo mos më thoni që ka krizë të madhe ekonomike e këtej andej. Drama sociale ka çdo dite. Kjo nuk diskutohet jeta është e vështirë kudo, jo vetëm në Shqipëri. Megjithatë u bëj thirrje të rinjve të ndjekin modele pozitive e mendoni që asnjëherë s’jeni të vetmit. Një shoqja ime më thotë: “E kanë shpikur zgjidhjen para se ta nxjerrin problemin.” Vetëvrasja është e pafalshme, s’ka justifikim çfarëdolloj gjëje të kalosh. Pse çfarë jemi ne të tjerët që rezistojmë?/ Dritare.net

SPONZORIZIM: Për shpallje të vogla që nga viti 2000, vizitoni www.SHPALLJE.biz