Rritet bilanci tragjik nga tërmeti që goditi vendin. Sipas të dhënave zyrtare, numri i viktimave nga lëkundjet e forta sizmike me intensitet 6.3 ballë, që goditën në orët e para të mëngjesit vendin tonë, me epiqendër bregdetin e Durrësit, ka arritur në 15 persona.

Ministria e Mbrojtjes konfirmon se viktimat ishin banorë të qytetit të Durrësit, Kurbinit, Lezhës dhe Thumanës.

Emergjencat Civile bëjnë të ditur se nëntë trupa të pajetë janë nxjerrë nga rrënojat në Durrës, më konkretisht te Vila Palma, hotel “Miramar”, një shtëpi private në Kënetë dhe pallati 6 katësh në lagjen nr.18 të Durrësit.

Objektet në fjalë u rrafshuan të gjitha nga tërmeti shkatërrimtar. Në Thumanë u shembën tre pallate, ku humbën jetën pesë personave mes rrënojave.

Më herët, trupi i pajetë i një burri u nxor nga rrënojat e pallatit 6 katësh, që u shemb në lagjen nr.18 të qytetit bregdetar.

Tragjedi është edhe ajo e familjes Lalaj në Kënetë të Durrësit ku nga shembja e vilës tre katëshe kanë humbur jetën tre pjesëtarë, ndërsa pesë të tjerë janë ende nën rrënoja.

I vetmi që ka dhënë shenja jete është 17-vjeçari i kësaj familje, Ramë Lalaj, ndërsa ekipet e kërkim shpëtimit vijojnë punën për gjetjen e tij.

SPONZORIZIM: Për shpallje të vogla që nga viti 2000, vizitoni www.SHPALLJE.biz