PS dhe 60 kryetarët e bashkive i ‘binden’ gazetarit Gorica: Japim rrogën për të dëmtuarit nga tërmeti

Një ditë më parë, gazetari Marjon Gorica, përmes një postimi në rrjetin e tij social, apeloi të gjithë deputetët dhe politikanët që të dhurojnë rrogët e tyre të muajit nëntor në shenjë solidariteti për ti ardhur në ndihmë sado pak të gjithë atyre personave që u preken nga tërmeti 6.4 ballësh që tronditi vendin më 26 nëntor.

‘Nëpërmjet këtij komunikimi do të doja të propozoja për çdo deputet të Parlamentit të Shqipërisë që pagën e këtij muaji ta dhurojë për familjet e prekura nga dëmet e tërmetit, ashtu si unë pagën time do ta përdor për blerjen e ushqimit për dhjetëra foshnja të cilat së bashku me familjet e tyre gjenden në qiell të hapur.’-shkruante ndër të tjera Gorica.

Duket se mesazhi i tij nuk ka rënë në vesh të shurdhët. Sot, ka qënë kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla i cili lajmëroi se i gjithë grupi i deputeteve dhe 60 kryetarët e bashkive do të dhurojnë pagën e muajit nëntor.

Paga e deputetëve dhe kryetarëve të bashkisë do të shkojë në llogarinë e përcaktuar nga Qeveria për fondin e rindërtimit. Vendimi u mor në një mbledhje urgjente.

Tërmeti që tronditi vendin para dy ditëve, kishte pasoja tragjike për vendin. Rreth 40 të vdekur dhe mbi 750 të plagosur është bilanci deri më tani. Dhjetra pallate dhe biznese janë shembur, ndërkohë që vijon operacioni për nxjerrjen e personave që janë ende nën rrënoja.

Kliko këtu për thirrjen e gazetarit Gorica