“Dëmet në ndërtimet e reja janë shkaktuar kryesisht në muret e brendshme dhe në rifiniturat plotësuese, por në asnjë rast në strukturën qendrore të objekteve”. Kështu thuhet në deklaratën e Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, në lidhje me tërmetin shkatërrues të 26 nëntorit, që mori pas 51jetë njerëzisht si dhe la pa banesa qindra banorë.

Në një kohë kur qindra banesa janë shkatërruar nga lëkundjet me magnitudë 6.4 të shkallës rihter, Shoqata e Ndërtuesve sqaron se në asnjë rast në ndërtimet e reja, pas viteve 90 nuk ka pasur probleme në strukturën qendrore të objekteve.

Sipas kësaj shoqate, tashmë është domosdoshmëri hartimi i normave teknike, që aktualisht mungojnë për këto procese në kushtet e veprimeve sizmike mbi strukturat skelet.

DEKLARATA E SHOQATËS SË NDËRTUESVE
Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë shpreh edhe njëherë dhimbjen për viktimat e shkaktuara nga tërmeti I fundit si dhe solidaritetin për gjithë të prekurit dhe familjet e tyre. Në këto ditë të vështira, ne konfirmojnë se jemi në çdo moment me popullin e prekur nga pasojat dhe dëmet katastrofike të kësaj fatkeqësie natyrore. Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë konstaton se pavarësisht forcës së tërmetit me magnitudë prej 6.4 të shkallës Rihter dhe forcë afro 8 ballë në qytetin e Durrësit, siguria e ndërtimeve të pas viteve ‘90 u vu në një provë të rëndësishme.
Ne vërejmë se, thuajse plotësisht, qëndrueshmëria e strukturave të këtyre ndërtimeve ka mundur të mbajë këtë forcë shkatërrimtare të natyrës. Në asnjë rast, strukturat bazike të ndërtimeve nuk janë kolapsuar nga forca e madhe e tërmetit të mëngjesit të 26 nëntorit. Nga ana tjetër, Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë konstaton se dëmet në ndërtimet e reja janë shkaktuar kryesisht në muret e brendshme dhe në rifiniturat plotësuese, por në asnjë rast në strukturën qendrore të objekteve.

Nisur nga ky konstatim, Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë mendon se është domosdoshmëri hartimi i normave teknike, që aktualisht mungojnë për këto procese në kushtet e veprimeve sizmike mbi strukturat skelet. Normativat ne fuqi nuk trajtojnë ne forme koherente mbrojtjen e rifiniturave nga veprimi sizmik. Eksperienca europiane nëpërmjet Eurokodeve duhet te përqafohet sa me shpejte nga legjislacioni shqiptar. Gjithashtu është nevojë imediate, të plotësohet legjislacioni si dhe të organizohen struktura të posaçme shtetërore për kontrollin e punimeve që nga faza e marrjes së lejes e deri në vënien në shfrytëzim të objektit, gjë që për investimet private praktikisht mungon.
Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë është e gatshme që, së bashku me qeverinë dhe parlamentin, të ofrojë asistencën e saj për ndryshimet e mundshme ligjore për të patur akoma dhe më shumë ndërtime cilësore dhe sa më të sigurta.

SPONZORIZIM: Për shpallje të vogla që nga viti 2000, vizitoni www.SHPALLJE.biz