Arrestohen 4 të rinj, kapen me kokainë në Pogradec

Policia e Pogradecit ka arrestuar katër të rinj, pasi në makinën e tyre është gjendur një sasi prej 525 gramësh lëndë narkotike, e llojit kokainë.

Personat e vënë në pranga janë shtetasit me iniciale  D.Xh., 20 vjeç; R.V., 23 vjeç; D.B., 20 vjeç; K.L., 20 vjeç, si dhe është vënë në hetim në gjendje të lirë shtetasi E.Z., 17 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec.

“Nga informacione të siguruara në rrugë policore, si edhe gjatë kontrollit që shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec në bashkëpunim me Forcat e Lëvizjes Operacionale të Rendit Publik në DVP-Korçë, ushtruan në lagjen nr.1, në mjetin tip “Audi” me drejtues shtetasin D.Xh., me të cilin këta shtetas po udhëtonin, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 525 gram lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë”- njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”.