Pas tërmetit që preku vendin në 26 nëntor, qeveria shqiptare shtriu dorën në drejtim të qytetarëve dhe të bizneseve për të ndihmuar, pa bërë publike  shumën që kanë në dizpozicion emergjencat shqiptare për rastet e fatkeqësive natyrore.

Nuk munguan ndihmat, dhe as donacionet nga brenda dhe jashtë vendit, por një presion i pazakontë është duke u zhvilluar në drejtim të punonjësve të administratës në disa institucione, ku iu kërkohet të dhurojnë para nga rrogat për personat e prekur nga tërmeti, një pjesë e të cilëve kanë mbetur të pastrehë.

Faxweb.al raportoi i pari urdhërin e dyshimtë të Policisë së Shkodrës, që detyronte punonjësit që të linin një pjesë nga rroga mujore, për të prekurit nga tërmeti, ndërkohë që një urdhër i njëjtë është dhënë dhe nga kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj.

Në një shkresë të bërë publike për mediat, vetë Leskaj urdhëron veten e tij të japë si ndihmë një shumë prej 1 milionë lekësh të vjetra, dhe vlera ulet në raport me pozicionin dhe rrogën që kanë punonjësit.

Po ashtu sot në media, pati raportime se një udhëzim i tillë është dhënë dhe për mësuesit, por akuzat u mohuan nga ministrja e Arsimit Besa Shahini, e cila tha se dhurimet nuk mund të bëhen me detyrim.

Pak ditë më parë dhe vetë Rama me ministrat, si dhe deputetët socialistë vendosën që të linin rrogën e muajit nëntor për bamirësi, e megjithatë gropa që ka krijuar tërmeti në financat shqiptare, nuk mund të mbushet me dhurime, por duhen strategji afatgjata në rikuperimin e dëmeve, dhe ringritjen e vendit nga një goditje e tillë me pasoja fatale.

SPONZORIZIM: Për shpallje të vogla që nga viti 2000, vizitoni www.SHPALLJE.biz