“Vullnetarët nuk paguhen, jo sepse nuk kanë vlerë, por sepse nuk ka çmim që paguan për kontributin e tyre.” Kjo është një shprehje e thënë nga Sherry Anderson, e njohur si autore që promovon vlerat e vullnetarizmit.

Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit është ditë e caktuar nga Asambleja e Përgjithshme OKB-së në vitin 1985 dhe u dedikohet të gjithë atyre vullnetarëve të shumtë anembanë botës, të cilët sakrifikojnë interesat e tyre personale, në interes të shoqërisë dhe komunitetit. Vullnetarizmi ose puna vullnetare në përgjithësi konsiderohet një aktivitet altruist kur një individ apo grup ofron shërbime jo për përfitime financiare apo sociale “për një tjetër person, grup ose organizatë”. Puna vullnetare është gjithashtu e njohur për zhvillimin e shkathtësive dhe shpesh ka për qëllim që të promovojë të mirat ose përmirësimin e cilësisë së jetës. Puna vullnetare mund të ketë përfitime pozitive si për vullnetarët ashtu edhe për personin ose komunitetin e shërbyer. Gjithashtu, ka për qëllim vënjen e kontakteve të mundshme të punësimit. Shumë vullnetarë janë veçanërisht të trajnuar në fushat ku ata punojnë, të tilla si mjekësi, arsim, apo emergjenca shpëtimi. Të tjerët shërbejnë sipas nevojës, si p.sh. në përgjigje të një fatkeqësie natyrore. Edhe pse aktivitetet vullnetare kanë qenë të pranishme ndër vite në shoqërinë tonë, akoma mungon një definim i qartë dhe organizim sistematik rreth vullnetarizmit në Shqipëri. Vullnetarizmi kuptohet më shumë si bamirësi (ndihma materiale) dhe më pak si aktivitet shoqëror. Në anën tjetër, ekziston mungesë e infrastrukturës ligjore rreth vullnetarizmit.

“Për mua vullnetarizmi është më shumë se punë, është ndjenjë, solidaritet, dhembshuri dhe përkushtim. Vullnetarizmin mund ta bëjë çdokush por shumë pak njerëz zgjedhin ta bëjnë. Vullnetarizmi përveçse ndihmon atë që merr ndihmën, ndihmon dhe personin që e jep atë. Kur bën punë vullnetare ndjehesh më mirë, human dhe qytetar më i denjë. Tek e fundit humanizmi këtu konsiston, në të ndihmuarit të tjerët. Do ja sugjeroja çdo të riu shqiptar punën vullnetare, në këtë mënyrë  gjithsecili do të njohë më mirë vetveten por dhe të tjerët duke i mundësuar  vetes kështu dhe një rrjet njohjesh më të gjërë.” thotë Marjana Koçeku e cila ka disa vite eksperiencë si vullnetare pranë  disa shoqatave.

SPONZORIZIM: Për shpallje të vogla që nga viti 2000, vizitoni www.SHPALLJE.biz