Gazeta Ora

Depozitat e ujit mbi pallate janë tashmë një imazh i parë rëndom nga të gjithë ne në 30 vjecarin e fundit. Ato janë të vendosura në soletat e tarracave dhe mbajnë 500 deri në 1 mijë litra ujë. Përvec faktit që kushtet higjenike të tyre lënë shumë për të dëshiruar, së fundmi pas deklaratave të disa inxhinierëve, ekspertëve si dhe përvojës së hidhur pas tërmetit të datës 26 nëntor, është ngritur alarmi për heqjen e tyre nga tarracat e pallateve. 

Profesoresha Luljeta Bozo ka qenë e para që ka dhënë alarmin për depozitat e ujit në tarracat e pallatit. Sipas inxhinieres, tarracat janë bërë për të mbajtur 75 kilogramë dhe jo 500 litra ujë. Kjo ngarkesë gjatë lëkundjeve sizmike rritet ndjeshëm, dhe dobëson forcën e soletës dhe betonit, duke vënë në rrezik jetët e shumë njerëzve.  

Gjatë tragjedisë së 26 nëntorit, një pallat në Durrës pësoi dëme të jashtëzakonshme nga shembja e depozitave, të cilat shkatërruan plotësisht zonën e shkallëve, të cilat u shembën, duke bllokuar daljen e banorëve nga ndërtesa. 

Inxhinieri Idlir Dervishi thotë se depozitat e ujit janë peshë e pallogaritur për strukturën e një pallati. Ato janë si një kat shtesë që në rastin e një lëkundje të fortë mund të ndikojnë në shembjen e strukturës totale. Sipas inxhinierit edhe rrjedhja e ujit prej tyre ndikon negativisht. Dobëson betonin dhe e bën tarracën të pasigurtë. Aq me tepër kur këto depozita vendosen në të njëjtin vend. 

E megjithatë për Tiranën dhe Durrësin, që nuk kanë kushte të ujit të pijshëm dhe me orar të plotë në shtëpitë e qytetarëve, depozitat kanë qenë zgjidhja e vetme për qytetet. Ndërkohë, pallatet e reja kanë kate të nëndheshme, ku mund të spostohen depozitat, pallatet e ndërtuara oara viteve 2000 nuk kanë. Ndaj duhet gjetur një zgjidhje sa më e shpejtë, ndërkohë që marrja e masave për largimin e depozitave është më shumë emergjente. Lëkundjet nuk mund të parashikohen, ndërkohë që marrja e masave për tu mbrojtur prej tyre është detyrim jetik për shoqërinë dhe institucionet. 

SPONZORIZIM: Për shpallje të vogla që nga viti 2000, vizitoni www.SHPALLJE.biz