Tërmeti i 26 Nëntorit 2019 goditi rëndë Shqipërinë, mbarë shoqërinë shqiptare, sikundër edhe themelet e shtetit. Të gjithë aktorët dhe faktorët shoqëror ndjehen në një gjëndje post-traumatike. Konfuzioni po dominon kudo. Turbullija e qeverisjes dhe paqartësia e opozitës, hallakatja e institucioneve dhe coroditja e burimeve njerëzore. Qarjet vertikale dhe krisjet horizontale, duket që kanë prekur cdo cep të vëndit, por edhe të njeriut shqiptar.

Në fakt, Shqipëria prej kohësh është në një gjëndje para-tërmetore. Luhatjet ekonomike, paqëndrueshmëria sociale, kriza politike, mosfunksionimi institucioneve, shprehnin të gjitha së bashku një gjëndje para-tërmetore. Tërmeti fizik i 26 Nëntorit 2019, vetëm që ekspozoi nga thellësitë e nëntokës së Shqipërisë, dobësitë që ekzistonin prej kohësh në mbitokën e saj.

Tërmeti fizik zbuloi kalbësimin sistemik dhe sektorial të vëndit dhe përshpejtoi rënien e fallsiteteve, mashtrimeve, krimeve e korrupsionit e, si i tillë, ndihmoi edhe ato që nuk kishin sy për të parë, veshë për të dëgjuar dhe mënd për ta kuptuar, krizën e ngrirë në të cilën ndodhej vëndi prej kohësh. Kriza-tërmet, ekspozoi qartësisht krizën-shtet.

Post-tërmeti po shoqërohet edhe me valë krizash të tjera, ose pas goditje tërmetore mbarë shoqërore. Këto valë patalogjie shoqërore po marrin trajta të përcudnuara, të cilat po shpalosen me sjellje të ndryshme kontradiktore, nga dhimbja te tallja, nga tragjikja te komikja, nga racionalja te cmenduria, nga e besueshmja te mashtrimi, nga humania tek kriminalja, nga ndjeshmëria te brutaliteti, nga fakti te propaganda. Po bëhet tejet e vështirë për të vënë kufirin ndarës midis këtyre sjelljeve kontraverse. Le të përmendim disa prej tyre…

1. Të pafajshmit fajësohen, fajtorët lavdërohen

Tërmeti është dukuri natyrore, nga më të rëndat dhe më të paparashikueshmet. Si një dukuri e tillë askush nuk mund të fajësohet për goditjet e tërmetit. Por, tërmetet, sic do dukuri natyrore të paparishkueshme shkaktojnë pasoja të ndryshme, varësisht nga shkalla me të cilën shoqëria dhe shteti janë përgatitur për t’u përballur me to.

Përvoja tregon se edhe tërmete shumë të rënda kanë shkaktuar dëme të pakta, kur shoqëria dhe shteti kanë qënë të mirëpërgatitur për t’u përballuar me to. Sikundër, ka ndodhur që edhe tërmete jo aq të rënda kanë shkaktuar pasoja katastrofale, kur shoqëria dhe shtetet nuk kanë qënë të përgatitur për t’u përballur me to. Madje, në këtë kuptim edhe tërmete të së njëjtës fuqi goditëse kanë shkaktuar pasoja të ndryshme në shoqëri dhe shtetet të ndryshme.

Përvoja në Shqipëri provoi se edhe brënda një mjedisi të vogël e të njëjtë gjeografik e sizmik, tërmeti solli pasoja krejtësisht të ndryshme mbi njerëz dhe objekte të ndryshme. Nuk është tërmeti që e bën këtë seleksionim, por është shteti pa standarte që shkakton atë.

Për deduksion mund të themi se shoqëritë dhe shtetet nuk mund të parashikojnë dhe parandalojnë tërmetet, së paku deri më sot, por ato cka ato mund dhe duhet të bëjnë është që të parapërgatiten dhe të përballojnë sa më mirë pasojat e tyre. Këtu qëndron dilema e kohës sonë. Shoqëria dhe shteti shqiptar u ekspozuan jo mjaftueshmërisht të përgatitur, për të mos thënë u gjendën mjaftueshmërisht dobët përballë fatkeqësisë natyrore.

Duke u ekspozuar në këtë mënyrë përpara fatkeqësisë natyrore, shoqëria dhe shteti duket se pas tërmetit kanë dalë nga shinat e të arsyeshmes, të drejtës dhe të dobishmes. Pikërisht në momentin kur lypet të flasin njerëzit e thjeshtë, të dëmtuar dhe të traumatizuar, që janë viktimat e kësaj fatkeqësie, mediat, ekranet, gazetat po mbushën me figura të stërnjohura dhe të bajatshme shtetërore, politike dhe institucionesh publike, qëndrore dhe vendore.

Dhe, cfarë është më e cuditshme, në gojët e tyre të liga dhe injorante nuk dëgjon apologji, përulje, reflektim, autokritikë, përgjegjësi, por, përkundrazi, dëgjon një fjalomani të pafund, që tenton të mbulojë me propogandë të zhurmshme fajtorët e vërtetë të shumë problemeve që ekspozoi tërmeti.

Është e trishtueshme të shohësh këto ditë përballjet midis viktimave dhe fajtorëve, përballje në të cilat viktimat duken të tërhequra e mjerane, ndërkohë që fajtorët shfaqen tejet agresiv dhe krenarë. Kjo sjellje paradoksale është për të vënë duart në kokë, sepse në thelb vret shpresat për ndryshim…

2. Flasin ato që duhet të heshtin dhe heshtin ato që duhet të flasin

Në këto momente është koha që të flasin gojët e urta, njerëzit e mëndjes, ekspertët, teknicienët, drejtësia, gazetarët, sepse situata kërkon një reflektim dhe investigim të plotë dhe të thellë. Nuk mund të ringrihet vëndi sërish mbi gërmadhat e padrejtësive, diletantizmit, krimit e korrupsionit.

Mirëpo, ajo cka po shohim këto ditë është proeliksiteti i pafund i atyre që duhet të vihen përpara pergjegjësive penale dhe civile dhe mbyllja e gojës me forcë, me prangosje, me shantazhime të fshehta apo fyrje të hapura të atyre që kanë cfarë thonë dhe duhet ta thonë publikisht.

Është tërësisht e papranueshme që në këtë periudhë të trishtë, nën arsyetimin e ‘shmangjes së panikut’ të mbyllen gojë gazetarësh dhe mediash, të ndalohen në paraburgime, të detyrohen të largohen nga vëndi, të kërcënohen ekspertë e teknicienë, të shantazhohen juristë me dije dhe eksperiencë.

Gojët e liga dhe injorante nuk po i lënë as në këto momente krize të thellë gojët e urta dhe profesionale që të shprehen publikisht. Arsyetimi i censurës së përbindshme ‘për mos ngjallje paniku’ është sa i dhimshëm aq edhe qesharak. Është i dhimshëm, se kur ndodh tragjedia, kur njerëzit janë varrosur, kur qytetarët kanë humbur gjithcka, kur mijra vetë duhet të nisin jetë nga e para, paniku nuk përbën kurrëfarë shqetësimi për to. Kur ndodh tragjedia, kur njerëzit janë varrosur, kur qytetarët kanë humbur gjithcka, kur mijra vetë duhet të nisin jetë nga e para, paniku i vërtetë i pushton shkaktarët kryesor të kësaj situate krize, ato që lypet të vihen përballë drejtësisë, ato që nevojitet që të pauajnë dëmet civile, ato që kërkohet të dorëhiqen një minut e më parë. Nuk është paniku publik, por vete-paniku politik që po tenton t’i hapë gojët e liga dhe injorante dhe të mbyllë gojët e urta e profesionale. Arsyeja themelore përse gojët e liga dhe injorante duan të censurojnë gojët e urta dhe profesionale është sepse këto të dytët po kërkojnë me insistim reflektim dhe investigim, përpara rindërtimit, kërkesa këto që gojët e liga dhe injorante duan t’i shtypin me cdo kusht, me censurë e propogandë, me presion dhe shantazhim. Refleksioni i thellë dhe investigimi i plotë janë dy parakushtet që të nxirren përgjegjësitë dhe përgjegjësit e shumë problemeve të dala nga tërmeti. Nga ana tjetër, ndryshimi që kërkohet lypet të fillojë me një ringritje e re, mbi filozofi e vizione të reja, mbi modele e koncepte të reja, mbi institucione e kapacitete njerëzore tërësisht të ndryshme nga ato të para tërmetit.

Nuk mundet ai që hapë plagët t’i shërojë ato. Nuk mundet që etërit e krimit e korrupsionit të mafies ndërtimore të bëhen rindërtuesit e një ere të re. Nuk mundet fajtorët të bëjnë viktimën. Nuk mundet shkatërrimtarët të sillen si fitimtarët. Nuk mundët që dështakët të lozin triumfatorët. Nëse kjo do të ndodhte athere do kishin një riciklim të tranzicionit me gjithë pacavuret që e kanë karakterizuar, athere ‘tërmete’ të shumta të cfarëdolloj natyre edhe më të fuqishme do ta godisnin Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare. Është momenti që tërmeti i 26 nëntorit të shërbejë si një vijë ndarëse përfundimtare midis tranzicionit plot kaos, babëzitje, trukime, fallsitete, padrejtësi, mungesë përgjegjësie dhe stabilitetit bazuar në sundimin e ligjit, integritetit moral, profesionalitetit, transparencës, përgjegjshmërisë politike dhe publike. Në një kohë të tillë priten të vërtetat e mëdha dhe jo mashtrimet e paskrupullta. E reja ngrihet mbi të vërteta, kalbësirat ngrihen mbi mashtrime. Reflektimi dhe investigimet lypet të ngrihen mbi viktimat dhe gërmadhat e tërmetit. Në fakt po tentohet që mbi viktimat dhe gërmadhat e tërmetit të ringrihet kadavra e ndryshkur e propogandës së vjetër dhe të dalë bojë.

Është e tmerrshme dhe tërësisht e papranueshme që të ndjekësh këto ditë përballjet publike e mediatike midis shkaktarëve të tranzicionit të tejzgjatur plot kaos, babëzi, trukime, fallsitet, padrejtësi, papërgjegjshmëri dhe njerëzve të mëndjes, ekspertëve, teknicienëve, juristëve, gazetarët, që kontribuojnë prej kohësh për t’i dhënë fund kësaj situate mjerane të vëndit. Kjo përballje me sjellje paradoksale midis atyre që duhet të heshtin dhe atyre që duhet të flasin lypet të marrë fund njëherë e përgjithmonë dhe të varroset së bashku me tërmetin e 26 nëntorit 2016 që goditi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Epilogu, një lider dhe një imam

Shqipëria u godit tragjikisht nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Dhjetra të vdekur u larguan nga kjo botë, qindra të plagosur po lëngojnë pasojat e gërmadhave, mijra të pastrehë e të dëmtuar përjetojnë dilemën e nisjes së jetëve nga e para…

Përkundruall kësaj skene të trishtë, të dhimshme dhe të shëmtuar po na shpalosen në ekrane skena groteske me liderë politikë dhe imamë fetarë, me humanistë e bamirës, me tepsi dhe tespi!!! Mos ndodhtë që historia shqiptare të përsërisë atë që ndodhi 500 vjet më parë, që politika dhe islami të bashkohen në shariah, sepse do të dështonin të dyja, e bashkë me to, edhe gjithë Shqipëria dhe shqiptarët…

M.K

SPONZORIZIM: Për shpallje të vogla që nga viti 2000, vizitoni www.SHPALLJE.biz