Abuzimet me ndërtimet/ Shkolla në Thumanë u rikonstruktua nga vëllai i Shemsi Prençit, por nuk i rezistoi tërmetit

    THUMANË– Shkolla e shkatërruar e Thumanës ishte rindërtuar 2 muaj më parë për 580 milionë lekë pas dëmtimit nga tërmeti i 2018, ja kush fshihet pas. Kompanitë dhe pronarët e tyre e rikonstruktuan dy muaj më parë shkollën 9-vjeçare ‘Ramazan Jangozi’ në Thumanë, e cila dërrmua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, në skenë del vëllai i Shemsi Prençit, i dënuar për afera me tendera korruptivë.

    Shkolla u rikonstruktua në shtator të këtij viti me vlerë 580 milionë lekë, pas dëmtimit të tërmetit të 4 korrikut 2018, por u shkatërruar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Kjo është historia e pazakontë dhe abuzive me shkollën 9-vjeçare “Ramazan Jangozi” në Thumanë, e cila do të rindërtohet për të dytën herë brenda disa muajsh, pasi nuk i rezistoi tërmetit të martës. Nga të dhënat e siguruara rezulton, pas tërmetit të 4 korrikut 2018, Bashkia e Krujës, ka kontraktuar studion ‘XH&MILER’ SH.P.K, me inxhiniere Xhulieta Duro, për të përgatitur një raport teknik për gjendjen e shkollë. Sipas raportit, shkolla ishte dëmtuar rëndë dhe nuk mund të shpërbente për procesin edukativ. Në bazë të këtij raporti, Bashkia e Krujës, në prill të këtij viti shpall tenderin për rikonstruksionin e shkollës me fond limit 58 892 767 lekë. Rikonstruksioni u financua nga grantet qeveritare vëne në dispozicion të Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve dhe nga ardhurat e Bashkisë Krujë.

    Tenderin e fitojnë në qershor 2019 kompanitë “Eglenti SHPK” – “REGLI SHPK” – “SENKA SHPK”, me ofertë fituese 58,785,179 lekë. Në 13 qershor të këtij viti firmoset kontrata, sipas të cilës punimet duhet të përfundonin për 90 ditë, pra deri në fillim të muajit shtator 2019. Administrator i kompanisë “Eglenti SHPK” është Ilir Martini me 100 % të aksioneve, me zyra qëndronte Njësia Bashkiake Nr. 2, Rruga “Budi”, Njësia Nr. 33. Ndërkaq pronar me 100 % i kompanisë REGLI SHPK është Njazi Prençi, me adresë në të njëjtën vend me kompaninë Eglenti SHPK. Ndërsa pronare e kompanisë SENKA SHPK rezulton Donika Senka, me qendër në Lushnje. Bie gjithashtu në sy se kulmin e xhirove vjetore nga kryerje e punëve publike, të tria kompanitë e kanë në vitin 2014.

    Administratori i kompanisë “Regli” Njazi Prençi një vit më parë është marrë i pandehur nga Prokuroria si dhe është dënuar me dy vite burg nga gjykata për afera me tenderat e ngritjes së argjinaturave në zonën e Krujës, por kjo duket se nuk e ka penguar për të fituar tendera të tjerë, siç është ai i shkollës së Thumanës. Bëhet fjalë për procesin ky u dënua me burg ish-kryebashkiaku i PD në Krujë Shkëlzen Hoxha, pasi gjatë gjykimit treshja gjykuese me kryesues Ded Miri dhe Alfred Gjoni e Marçela Shehu, u provua se ai ka abuzuar me një tender për sistemimin e një përroi në Krujë.

    Nga hetimi i Prokurorisë së Krujës ka rezultuar se vlera në terren e investimit në këtë projekt ishte shumë më e vogël, duke arritur në konkluzionin se ish-kryetari i Bashkisë dhe administratori i kompanisë, vëllai i Shemsi Prençit, që fitoi procedurën e prokurimit, kanë vjedhur mbi 8 milionë lekë të reja. Bashkia Krujë ka konstatuar më pas problematikën në terren, pas ankesave të qytetarëve të ndryshëm. Sipas shqetësimit publik, në dimrin e vitit 2014, zona Ura e Madhe-Krujë u përmbyt nga shirat e shumtë.
    Ka dyshime të forta se e njëjta histori mund të jetë përsëritur edhe në rastin e rikonstruksionit të shkollës ‘Ramazan Jangozi’ në Thumanë. Tashmë kjo shkollë e dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, është shembur totalisht. Ekspertët dhe prokurori kanë marrë kampionë për të hetuar cilësinë e rikonstruksionit që është bërë me vlerë 580 milionë lekë, investim i cili është “hedhur në erë” brenda dy muajve.

    “Dosja.al” mëson se momentalisht në prokurorinë me Krujës janë të regjistruar tre dosje penale, ku e para ka në fokus hetimin e situatës para se të binte tërmeti dhe dëmtimin e tre pallateve në Thumanë, ku humbën jetën disa persona. Në këtë çështje po administrohet me shumë vëmendje i gjithë dokumentacioni që është raportuar për gjendjen e tre pallateve në Thumanë dhe mosveprimi i zyrtarëve lokalë dhe qendrorë për të shmangur këtë tragjedi.

    Ndërkohë një dosje e dytë që po hetohet ka në fokus dëmtimin e godinave institucionale si shkolla, xhamia, dhe qendra shëndetësore e Thumanës, të cilat janë objekte të ndërtuara kohët e fundit nga kompanitë private.Nga ana tjetër një dosje e tretë po hetohet për objektet në rrethin e Krujës që u është vënë shiriti policor, dhe pritet që në ditët në vijim të shemben me tritol nga forcat e xhenios. Këto objekte kanë shfaqur probleme në ndërtim dhe të gjitha këto problematika, pritet të hetohen nga prokuroria e Krujës. Nga Dosja.al