Bulqiza/ Nga nëntoka e vdekjes, ngrihet shpresa

Jeta dhe vdekja përplasen ashpër në zemrën e Bulqizës; miniera , pasuria e qytetit, i ftohti dhe minatorët që nëntori i gjeti në grevë dhe me një sindikatë të re.

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, një nga ngjarjet më të rëndësishme për qytezën e vogël që mbahet në këmbë nga kromi.

Ashtu sikundër kolegët e tyre në mbarë botën, minatorët e Bulqizës shpallën krijimin e unionit të tyre sindikal që do synonte sigurimin e kushteve më të denja të punës.Një betejë sociale-ekonomike pasojat e të cilave do të trondisnin thellë shfrytëzuesit e punëtorëve.

 Miniera, gjaku i minatorëve dhe Bulqiza sot janë peng i një njeriu të vetëm , i ndërrimit të pushteteve që e kanë lënë nëntokën e pasur në mëshirë të fatit, duke e varfëruar akoma më shumë qytezën e vogël.Qytezë e vogël me njerëz të mëdhenj, që zgjohen herët për t’u ngjitur në minierë, mes të ftohtit dhe frikës së vdekjes që endet në ajër sa futesh në galeritë e nëntokës.Asnjëherë nuk i dihet a del i gjallë nga miniera.Vdekjet e minatorëve janë raportuar gjithmonë si statistika dhe faji u ka mbetur punëtorëve dhe jo kompanisë.

Por çdo organizim vjen me pasoja. Menjëherë pas shpalljes së sindikatës, kompania Albchrome, që zotëron një pjesë të mirë të minierës, largon nga puna kryetarin e saj, Elton Debreshin.

“6 vite punë si minator, thotë Eltoni. 6 muaj të tjera i dënuar (e theksoj i dënuar) si vagonist”. Arsyeja? Angazhimi i tij në sindikatë.Kështu, në datë 22 nëntor atij iu komunikua shkarkimi nga puna me motivacionin se kishte thyer disiplinën në punë, gjë që ka ndodhur muaj më parë,por kompanisë i erdhi vetëm tani ndër mend.

Ditë më pas minatorët ishin në grevë duke kërkuar prerazi rikthimin e shokut të tyre në punë.Bojkotimi masiv i punës solli reagime të ashpra nga kompania e cila nuk i ndali kërcënimet, presionet pushimet nga puna deri edhe shoqërimin në polici të protestuesve.Albchrome pushoi nga puna Beqir Duriçin, anëtar i Këshillit sindikal dhe Përgjegjës i Financave të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. E pavarësisht presioneve dhe largimeve nga puna në kundërshtim me ligjin, greva nuk u ndërpre dhe kërkesat ishin dhe vazhdojnë të jenë të qarta.

Eltoni thotë se minatorët kërkojnë rritje page, rishikim të normës, bojkotin të paguar dhe ndalimin e presioneve nga ana e kompanisë.E mbi të gjitha kërkohet rikthimi i kryetarit të sindikatës në punë.

“Nuk na njohin vjetërisnë në punë, lagështirën, kushtet e vështira dhe pagat janë skandaloze.Administrata po bën presion ndaj punëtorëve dhe konkretisht anëtar të Këshillit Sindikal, te sindikata jonë”, vazhdon Eltoni.

Por pavarësisht presioneve, puna për zgjerimin e sindikatës po vazhdon.

“Për momentin po punojmë për antarësimet dhe kemi arritur numrin më të madh të antarësimeve në minierë.Shpresojmë të lidhim kontratën kolektive neve që na mbaron në muajin janar.” Thotë Eltoni që tashmë ka mbetur i papunë pas guximit të tij për t’u zgjedhur kryetar sindikate me shumicë votash.

Po , duhet guxim për t’u zgjedhur në krye të një organizimi sindikalist në një vend ku punëtorët nëpërkëmben për interesat e pronarëve dhe ku të ngresh zërin për atë që me të drejtë të takon, rrezikon të mbetesh pa punë.Dhe pavarësisht se minatorët për momentin e kanë ndërprerë grevën për ta ndjekur çështjen në rrugë ligjore, ky organizim është një pikë fillimi edhe për punëtorët e sektorëve të tjerë; gratë e fasonerive, naftëtarët, por edhe inxhinierë dhe ekonomistë duhet të bashkohen në unione që mbrojnë të drejtat e tyre në punë.

Dimri i ftohtë i Bulqizës po shërben si një akt revolte për qytetin që pasuri më të madhe ka kromin, mbijeton prej tij dhe pavarësisht nëntokës së pasur, mbitoka lufton ende me varfërinë e tejskajshme e jëtesën e vështirë.Kompanitë që kanë në zotërim minierën shfrytëzojnë edhe kolonat mbajtëse dhe zonat e shfrytëzuara më parë që të maksimizojnë fitimet duke rrezikuar jetën e minatorëve.

Raportimet për vdekjet në minierë janë të pakëta.Media, siç bënë zakonisht me kauzat qytetare, e bojkotoi grevën e minatorëve ashtu siç ka bojkotuar raportimin, dhe pse jo, zbardhjen e vdekjeve në galeritë e ferrit.Asnjë përgjegjës nuk është dënuar, ndaj asnjë kompanie nuk janë marrë masa, por kur minatorët vdesin në punë faji mbetet i tyre.

Ata që i kanë parë shokët të vdesin teksa nxjerrin krom, e dinë se nuk ka rrugë tjetër veç organizimit dhe mes vështirësive dhe frikës, në Bulqizë po ndërtohet një shpresë e re.

Ndoshta një ditë fitimet e kromit do t’u shkojnë atyre që u takojnë, jetesa do të jetë më e mirë e mbi të gjitha vdekja nuk do të varet mbi kokat e punëtorëve sa herë zbresin në puset e nëntokës.

Miniera është e atyre që punojnë aty, minatorë dhe bijë minatorësh që brez pas brezi nuk e kanë lënë Bulqizën të shuhet.

Jetesa e këtij qyteti është e lidhur ngushtë me minierën që mban plot 70 vite histori dhe dikur punësonte 3000, 4000 mijë punëtorë.Sot, rreth 650 minatorë që punojnë aty, me pagat qesharake që variojnë mesatarisht në 500 mijë lekë të vjetra, nuk mund të mbajnë familjen. Ajo që pashë nga Bulqiza në ato ditë të ftohta greve dhe solidariteti, më bën të shpresoj se minatorët do ta arrijnë qëllimin e tyre dhe nuk do t’i ndal as presioni, as mosraportimi nga media e as frika apo pronarët.

Miniera nuk duhet të jetë më një pus vdekjesh, por duhet të jetë burimi i jetës në qytet se fundja pa të Bulqiza nuk do mund të mbahej në këmbë.Këto shenja jete erdhën nga minatorët, që po duan të punojnë me dijnitet dhe të mos grabitet pasuria, të cilën e nxjerrin nga nëntoka me mund, prej vitesh.