Shumica e studiuesve pretendojnë se shkenca dhe feja janë fusha krejtësisht të ndara nga njëra-tjetra. Por ndërsa fizikantët po studiojnë tiparet më themelore të natyrës, ata po trajtojnë çështje që kanë qenë prej kohësh domen i filozofëve dhe teologëve. A është Universi i pafundëm, dhe i përjetshëm?
Pse duket se ai ndjek ligjësitë matematikore, dhe a janë të pashmangshme këto ligjësi? Dhe ndoshta pyetja më e rëndësishmja: Pse ekziston universi? Pse ka diçka, në vend të asgjësë? Filozofi i Mesjetës Toma Akuini shtronte pyetje të ngjashme në librin e tij të shekullit XIII-të “Summa Theologica”, që paraqet disa argumente që mbështesin ekzistencën e Zotit.
Ai vërente se se të gjitha objektet e kësaj bote, mund të ndryshojnë nga potenciale në aktuale. Një kub akulli mund të shkrijë, një fëmijë mund të rritet. Por shkaku i këtij ndryshimi, duhet të jetë diçka tjetër përveç atij objekti. Është ajri i ngrohtë, ai që shkrin kubin e akullit, dhe është ushqimi ai që e ushqen fëmijë
Vetë historia e universit, mund të shihet si një zinxhir i pafund ndryshimesh. Por Akuini argumentoi se duhet të ketë një entitet transhendent, që e ka krijuar këtë zinxhir, diçka që është në vetvete i pandryshueshëm, dhe që tashmë zotëron të gjitha vetitë që zotërojnë tashmë të gjitha objektet në botë.
Ai pretendonte gjithashtu se ky entitet duhet të jetë i përjetshëm. Pasi është rrënja e të gjitha shkaqeve, dhe asgjë tjetër s’mund ta ketë shkaktuar atë. Dhe ndryshe nga të gjitha objektet e kësaj bote, entiteti hyjnor është i domosdoshëm, ai duhet të ekzistojë.
Akuini e përcaktoi këtë entitet si Zoti. Ky arsyetim u njoh si argumenti kozmologjik, dhe shumë filozofë u morën dhe e përpunuar më vonë atë. Në shekullin XVIII-të, filozofi gjerman Gotfrid Laibnic e përshkroi Zotin si “një qenie të domosdoshme, që zotëron arsyen e ekzistencës në vetvete”.
Është interesant fakti që Laibnici, ishte gjithashtu matematikan dhe fizikant. Ai shpiku llogaritjen diferenciale dhe integrale, në të njëjtën kohë me Isak Njutonin. Në fakt, ata e zhvilluan shkencën e matematikës në mënyrë të pavarur. Si Laibnici dhe Njutoni, e konsideruan veten filozofë natyrorë, dhe lëvizën shpesh midis shkencës dhe teologjisë.
Deri në shekullin XX-të, shumica e shkencëtarëve nuk gjetën më prova të ekzistencës së Zotit, por lidhja midis fizikës dhe besimit nuk ishte thyer tërësisht. Albert Ajnshtajni që fliste shpesh për fenë, nuk besonte në një Zot personal, që ndikon në historinë apo sjelljen e njeriut.
Por ai nuk ishte as ateist. Preferonte ta quante veten agnostik, megjithëse nganjëherë prirej drejt panteizmit të filozofit hebreo-holandez Barush Spinoza, që deklaroi në shekullin XVII, se Zoti është identik me natyrën. Po ashtu, Ajnshtajni e krahasoi racën njerëzore me një fëmijë të vogël në një bibliotekë të mbushur me libra të shkruara në gjuhë të panjohura:
”Fëmija vëren një plan të caktuar në renditjen e librave, një lloj urdhri misterioz, të cilin nuk e kupton, por vetëm dyshon shumë mbi të. Ky me duket mua është qëndrimi i mendjes njerëzore ndaj Zotit. Ne shohim një univers të rregulluar në mënyrë të shkëlqyer, dhe që i bindet ligjeve të caktuara, por ne i kuptojmë shumë pak këto ligje”.
Ajnshtajni i referohej shpeshherë Zotit kur fliste për fizikën. Në 1919, kur shkencëtarët britanikë e konfirmuan vërtetësinë e Teorisë së Përgjithshme të Relativitetit, ai u pyet se si do të reagonte nëse studiuesit nuk do të kishin gjetur prova mbështetëse mbi teorinë e tij.
“Atëherë do të më vinte keq për Zotin e dashur. Por teoria është e saktë”- tha ai. Por gjatë viteve 1920 dhe 1930, ai iu kundërvu shfaqjes së mekanikës kuantike, që binte ndesh me besimin e tij të vendosur se universi është determinist në natyrën e tij, dmth se veprimet fizike kanë gjithmonë efekte të parashikueshme.
Ai e kritikoi papërcaktueshmërinë e teorisë kuantike duke thënë:Zoti “nuk luan me zare” me universin. Ndërsa Nils Bori, “babai’ i mekanikës kuantike, thuhet se iu përgjigj: “Ajnshtajn, mos i trego Zotit se çfarë duhet të bëjë!”. Megjithëse teoria kuantike, është tani themeli i fizikës së grimcave, shumë shkencëtarë ndajnë ende shqetësimin e Ajnshtajnit.
A ka ndonjë vend në këtë univers për Zotin “shkaktar” të Akuinit dhe Laibnicit? Apo është ndoshta Zoti më i përhapur i Spinozës? Fizikani i ndjerë i grimcave, Viktor Stenger e shtroi këtë pyetje në librin e tij të vitit 2007 “Zoti: Hipoteza e dështuar”. Aty Stenger hodhi shpejt poshtë konceptin ateist të një Zoti që iu përgjigjet lutjeve dhe kuron fëmijët e sëmurë, pasi shkencëtarët do ta kishin vërejtur këtë lloj ndërhyrje hyjnore.
Pastaj ai argumentoi në një mënyrë më pak bindëse, kundër ekzistencës së një Zoti teist, që krijoi universin dhe ligjet e tij, dhe më pas u ndal, për ta parë atë të ecte vetë. Por shpjegimi i krijimit të universit është më i ndërlikuar. Kozmologët nuk e dinë nëse universi ka pasur ndonjë fillim.
Përkundrazi, ai mund të ketë pasur një të kaluar të përjetshme, që shtrihet pafundësisht pas në kohë. Disa modele kozmologjike propozojnë që universi ka kaluar nëpër cikle të pafundme të zgjerimit dhe tkurrjes. Dhe disa versione të teorisë së inflacionit, flasin për një proces të përjetshëm, në të cilin universet e reja zgjerohen përgjithmonë.
Por kozmologët e tjerë argumentojnë se inflacioni duhej të fillonte diku, dhe pikënisja nuk mund të ishte në thelb asgjëja. Siç e kemi mësuar nga teoria kuantike, edhe hapësira boshe ka energji, dhe asgjë nuk është e paqëndrueshme. Të gjitha llojet e gjërave të pamundura, mund të ndodhin në një hapësirë ​​boshe, dhe njëra prej tyre mund të ketë qenë një rënie e papritur në një energji vakumi më të ulët, çka mund të ketë shkaktuar zgjerimin e inflacionit.
Për Stengerin, kjo mundësi teorike ishte dëshmi se Zoti nuk është i nevojshëm për Krijimin e Universit. Por ky përfundim duket paksa i nxituar. Shkencëtarët nuk e kuptojnë plotësisht botën kuantike, dhe hipotezat e tyre në lidhje me momentet e para të Krijimit, nuk janë shumë më tepër sesa disa supozime.
Ne duhet të zbulojmë dhe kuptojmë ligjet themelore të fizikës, përpara se të themi se ato janë të pashmangshme. Në vend që të dëshmojë që Zoti nuk ekziston, ndoshta shkenca duhet të zgjerojë përkufizimin tonë mbi hyjnoren. Për të nxitur kërkimin e njerëzimit mbi kuptimin e saj, ne duhet të kemi si prioritet financimin e teleskopëve të përparuar dhe instrumentave të tjerë shkencorë, që mund të sigurojnë të dhënat e nevojshme për studiuesit që studiojnë fizikën kuantike. Dhe mbase kjo përpjekje do të çojë në përparime mbi teologjinë. A është e mundur që raca njerëzore të ketë tek e fundit një qëllim kozmik? A lulëzoi universi në një numër realitetesh të pashpjegueshme, ku secili përmbante miliarda galaktika dhe hapësira të mëdha boshe, vetëm për të prodhuar disa komunitete vëzhguesish të përçarë? A është synimi përfundimtar i universit të vëzhgojë shkëlqimin e vet? Ndoshta. Duhet të presim, dhe të shohim.

SPONZORIZIM: Për shpallje të vogla që nga viti 2000, vizitoni www.SHPALLJE.biz