Këto janë disa nga pasuritë kombëtare që ministria e kulturës nuk i ruan

Shqipëria ka një kulturë dhe histori të jashtëzakonshme. Falë një kulture mjaft të gjërë dhe një të shkuare të pasur me plot ngjarje historike, Shqipëria është po ashtu e pasur me plot vlera dhe pasuri kombëtare ku përvec natyrës që i ka fal zoti, ka dhe trashëgiminë nga të parët. Më poshtë Gazeta Ora ka listuar disa nga këto pasuri që janë simbol për ne Shqiptarët.

Çiftelia


Çiftelia është një vegël muzikore kordofone me dy tela që luhet me pendë. Luhet nga malësorët e Pukës, Mirditës, Lumës, Malësisë së Gjakovës dhe Kosovës. Përdorej për të shoqëruar rapsodi apo balada, njohur si këngë me çifteli, kënduar nga rapsodë si Dervish Shaqa. Tanimë përdoret shpesh ndër dasma a koncerte shqiptare. Tingulli në çifteli përfitohet me dridhjen e telit të epërm, ndërsa lartësia e tingujve përcaktohet tek teli i poshtëm. Zakonisht punohet prej drurit të arrës dhe prej drurit të qershisë. Çiftelia është e ndërtuar prej këtyre pjesëve: koka (ndryshe quhet edhe kupolla e çiftelis) e cila në mbrendi është e shprazët, qafa ku janë të ndara notat ose ndryshe quhen perde (popullore fusha), dhe në skaj të qafës ndodhen shtrënguesit e telave të cilët janë dy.


Plisi


Qeleshja apo Plisi është simbol dhe mbulesë tradicionale e kokës në Shqipëri. Plisi quhet mbulesa e bardhë prej leshi të cilën pellazgët, Ilirët e më vonë shqiptarët e përdorën për ta mbuluar kokën. Quhet plis sepse është e krijuar prej leshit të deles së bardhë (kujto fisi ilir i delmatëve ose dalmatëve dhe dalmacia). Pra prej leshi, në dialektin gegë bënë pi-leshi ndërsa në gjuhën e vjetër bënë pi-lesi prej nga rrjedh pi-lisi dhe p’lisi e ku pastaj shkurtimisht e përfundimisht quhet plisi.


Rakia


Rakia është pije alkoolike e cila zakonisht prodhohet në bodrumet shtëpiake në trevat e Ballkanit dhe shpesh ky term përdoret edhe për të gjitha pijet alkoolike. Me fillimin e industrializimit në trevat ballkanike shumë pije alkoolike që vijnë nga Ballkani e kanë marrë këtë emër duke e cituar llojin nga cili frut është nxjerrur alkooli. Rakia shqiptare ndryshon thelbesisht nga e ashtequajtura raki turke. Disa nga llojet e rakisë që prodhojnë shqiptarët janë: raki rrushi, kumbulle, mani, mareje, manaferre, thane, arre.


Sharkia


Sharkia është vegël muzikore popullore zakonisht me pesë tela. Tingujt e sharkisë janë të thellë dhe kumbues. Me sharkinë shoqërohen në mënyrë heterofonike një pjesë e mirë e këngëve lirike dhe epike, të kënduara nga burrat, si dhe valle të ndryshme popullore. Shquhet si një ndër veglat më komplekse, përdoret e vetme ose në formacionet orkestrale si vegël kryesore. Sharkia bashkohet me vegla të tjera zakonisht me çiftelinë, fyellin, dajren dhe qemanën (violinën). Sharkia është e përhapur në Tropojë, Kukës, Dibër, ndërsa treva kryesore e saj është Gjakova me rrethet. Gjendet edhe në zonat e Komunës së Pejës, Drenicës, Prishtinës, Prizrenit, në Podrime si dhe në zonat e Hasit, Shkodrës, etj… //Gazeta Ora