Në 14 maj 2018 “MOBIKE” u lancua për herë të parë në rrjetet sociale. Faqja e sapo krijuar e një prej risive më të fundit të kryeqytetit dha lajmin se bicikleta elektronike do të vinte së shpejti në Tiranë, duke zyrtarizuar kështu nisjen e fushatës së marketingut që do t’i bëhej kësaj biciklete. 

Lancimi i parë i MOBIKE

Kjo nismë u zyrtarizua për herë të parë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, më 3 qershor 2018. Ai ja ngarkoi administrimin e saj “Kryetarit të Bashkisë së Bicikletave” Ened Mato. Por Ened Mato nuk është një emër i padëgjuar më parë. Mik i Erion Veliaj dhe familjes së tij, ai është pronari i kompanisë Ecovolis Events sh.p.k. Kjo kompani do të fitonte dy muaj pas këtij promovimi, tenderin e shitjes së bicikletave. 

Erion Veliaj dhe Ened Mato

Duke e transmetuar si një nga risitë më të mëdha të kryeqytetit, dhe duke e promovuar si një nga projektet më të rëndësishme të Bashkisë në Tiranë, kryetari Veliaj, nismëtari i “Mobike Tirana” ftoi disa prej figurave më të rëndësishme publike në zyrën e tij, për ti prezantuar me bicikletën elektronike. Ish- ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu, Rita Ora, Ermal Meta, Noizy e shumë artistë të tjerë u bënë pjesë e kësaj risie gjatë verës së 2018.

Veliaj i prezanton Mobike ish-ambasadorit Lu
Veliaj u prezanton MOBIKE artistëve

Sigurisht që kjo nismë e ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës u mbështet nga shumë media, të cilat postuan shkrime për të nxitur qytetarët të bëhen pjesë e nismës së Mobike. Tirana Post, Top Channel, Dritare.net, Java News e shumë portale të tjera. E megjithatë, asnjë prej tyre nuk bëri qoftë edhe një kërkim të vetëm në motorrin e kërkimit ndërkombëtar Google, ku shihet qartë se kur MOBIKE erdhi në Shqipëri, ajo ka qenë në prag falimenti, pasi shumë prej bicikletave janë shkatërruar nga qytetarët në qytete të ndryshme të botës. Kompania mëmë në Kinë, kishte dhënë deklaratat e para se do të tërhiqej nga tregu ndërkombëtar shumë shpejt.

Artikuj për Mobike
Financial Times shkruan për krizën e MOBIKE në botë

Dy muaj pas lancimit të risisë së fundit në kryeqytet, Partia Demokratike ngriti disa akuza për faktin që tenderi i bicikletave të Tiranës ju dha mikut të Veliaj, Ened Mato pavarësisht se nuk përmbushte kushtet e tenderimit. Ky është dhe denoncimi i opozitës i publikuar më 30 shtator 2018. E megjithatë, edhe pse tenderi ishte zhvilluar dhe fituar në gusht të 2018, Ened Mato u shpall “kryebashkiak i bicikletave” që në qershor, gjë që lë shumë vend për të dyshuar mbi pastërtinë e kësaj nisme. 

“Me datë 16 gusht 2018 kompania Eco Tirana sh.a ka realizuar proçedurën e prokurimit publik te llojit “Kërkesë për Propozim” me objekt: “Blerje Biçikleta me kosh” 30 copë në një vlerë fondi rreth 17 mijë dollarë dhe duke e shpallur fituese të këtij tenderi kompanin Ecovolis Events Sh.p.k ne pronësi të mikut të Veliajt, Ened Mato.
Eco Tirana është një shoqëri me pronësi 49% të aksioneve private (AGSM Holding ALBANIA) dhe 51% zotërohen nga Bashkia Tiranë kjo kompani ushtron aktivitetin në fushën e pastrimit në territorin e Bashkisë Tiranë.
Në procedurën e zhvilluar të prokurimit janë kryer shkelje në kriteret ligjore konkretisht për “pjesën e kapaciteteve teknike të subjektit” që është në kundërshtim me Nenin 27, pika 4 të VKM nr. 914 date 29.12.2014 ku percaktohet që kompania duhet të permbush kriterin e eksperjencës në punë të ngjashme të paktën për 3 vitet e fundit.
Kompania Ecovolis Events sh.p.k konstatohet që nuk disponon përvojë të mëparshme, punë të ngjashme sic kërkohet për objektin e prokurimit “Blerje Biçikleta me kosh” 30 copë. Pikërisht 10 ditë përpara marrjes pjesë në konkurim , kompania Ecovolis ka shtuar në objekt të saj aktivitetin “shitjen dhe prodhimin e biçikletave” kjo e provuar sipas vendimit të kësaj shoqërie nr.1 datë 6 Gusht 2018.”

Denoncimi i PD
Denoncimi i PD

Por pavarësisht akuzave të ngritura, marketingu që Bashkia e Tiranës dhe kryetari Veliaj i bënë MOBIKE është për tu habitur. Pothuajse gjithë administrata e bashkisë zhvilluan aktivitete me bicikletat Mobike, aktivitete që u pasqyruan kudo nëpër rrjete sociale. Madje edhe Policia Bashkiake e cila ka bicikleta të personalizuara, pozoi me MOBIKE. 

Marketingu i MOBIKE nga Veliaj
Policia Bashkiake

Po cfarë fshihej pas një marketingu kaq të madh që po i bëhej përdorimit të bicikletave në qytetin e Tiranës?

Në 8 qershor, në promovimin e MOBIKE, Veliaj deklaroi se kjo nismë filloi me 500 bicikleta, për tu zgjeruar në 4000 të tilla një javë më pas. Nisur nga ky shërbim që po i shtohej kryeqytetit, Bashkia Tiranë ndërmori aksionin për të shtuar 10 km korsi për bicikleta në disa zona si:

– Aksi nga Qendra deri të Rruga e Dibrës

– Rruga e Dibrës deri të Farmacia 10

– Farmacia 10 deri në Kinostudio

– Rruga e Kombinatit

– Bulevardi Dëshmorët e Kombit

– Bulevardi Zogu i Parë

Sigurisht që në ndërtimin e këtyre korsive që përfshijnë akset më të rëndësishme rrugore përfshihen një numër i madh tenderimesh në kompani të ndryshme ndërtimi. Ndërkohë që sot që kompania MOBIKE ka falimentuar, a janë këto korsi efektive, dhe a e hijëzon veprimtaria e bicikletave në Tiranë bllokimin e qarkullimit dhe krijimin e një trafiku shumë të rënduar si pasojë e ngushtimit të rrugëve? Praktikisht Bashkia Tiranë investoi një numër shumë të madh të ardhurash të qytetarëve taksapagues në ristrukturimin e akseve rrugore më të rëndësishme të Tiranës, pa e studiuar nivelin e përdorimit të bicikletave nga qytetarët, duke shpërdoruar fondet e Bashkisë së Tiranës, dhe duke rënduar trafikun në të gjithë qytetin. 

Disa nga korsitë e biçikletave nëpër Tiranë

Sot MOBIKE ka falimentuar në Tiranë. Në rrugët eTiranës nuk ka më asnjë bicikletë. Postimi i fundit në faqen zyrtare të facebook daton në 19 korrik 2019. Aplikacioni nuk gjendet as në “App store” as në “Play Store”, ndërsa personat që e kanë pasur të shkarkuar në telefon gjuha e tyre është ndryshuar automatikisht në gjuhën kineze. Numri i telefonit i vendosur në faqen zyrtare të MOBIKE Albania, nuk ekziston. Bashkia e Tiranës i detyrohet të gjithë qytetarëve taksapagues një shpjegim!

Postimi i fundit i MOBIKE
Aplikacioni MOBIKE në telefonin e një përdoruesi të vjetër

Në Videon e mëposhtme mund të shikoni një telefonatë që provon se numri zyrtar i MOBIKE në Tiranë nuk ekziston, si dhe faktin se aplikacioni nuk është më aktiv as për telefonat Android dhe as për telefonat I-phone. 

Falimentimi i MOBIKE

Publiée par Gazeta Ora sur Vendredi 3 janvier 2020

Punoi: Refxhei TOLA (GAZETA ORA)

SPONZORIZIM: Për shpallje të vogla që nga viti 2000, vizitoni www.SHPALLJE.biz