Kanë kaluar pothuajse 1 muaj e gjysëm nga lëkundjet e forta të tërmetit që i morën jetën 51 personave dhe lanë pa strehë mijëra familje, por situata është pothuajse aq keq sa ditët e para që pasuan katastrofën natyrore, për të mos thënë më keq. Qeveria shqiptare mblodhi fonde nga biznesmenë shqiptarë, të cilët dhuruan miliona euro, ndërkohë që diaspora u angazhua në donacione të mëdha e të vogla për familjet e prekura. Kosova dhe miqtë tanë ndërkombëtarë në Lindje e Perëndim dërguan ndihma të mëdha monetare, të cilat qeveria i vendosi në shërbim të komitetit rindërtimit të banesave. 

Por shikoni kushtet e tmerrshme jetojnë familjet e prekura nga tërmeti! 

Burimi: Mediat 

Duke qenë anëtarë të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria ka për detyrë të zbatojë marrëveshjen ndërkombëtare si Konventa e të Drejtave Ekonomike Sociale dhe Kulturore. Sipas saj, shteti ka për detyrë tu garantojë të drejtën për strehim të gjithë personave, pavarësisht të ardhurave të tyre. Mugesat në fondet publike nuk mund të përdoren si justifikim, dhe nëse një numri të konsiderueshëm individësh në një shtet u mohohet strehimi bazik, atëherë shteti në fjalë mund të konsiderohet se ka dështuar në plotësimin e detyrimeve në bazë. 

Burimi: Komiteti i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat Ekonomike Sociale dhe Kulturore, Komenti nr.4.

Të gjithë qytetarëve që pas shkatërrimit të banesave janë strehuar në çadra nëpër fshatëra të cilat u prekën nga lëkundjet dhe që në ato çadra po kalojnë dimrin, me fëmijë të cilët kanë nevojë për ushqim, ngrohje, me të sëmurë paraplegjikë, tetraplegjikë, të moshuar që nuk kanë as dushe dhe as tualete po u shkelen mizorisht të drejtat bazike të njeriut! Dhe këto të drejta nuk po u shkelen nga shkatërrimi i banesave, as nga katastrofa natyrore, por nga mosveprimi i organeve përkatëse institucionale, që paguhen me taksat e shqiptarëve për të punuar për shqiptarët! 

Avokati i Popullit është një ndër institucionet më të rëndësishme në një shoqëri. Sipas ligjit Nr. 8454, të ndryshuar disa herë, ai mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshëm të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike, si dhe të të tretëve që veprojnë për llogari të saj. Është nxitës i standardeve më të larta të të drejtave dhe lirive të njeriut në vend.

Në Shqipëri ky institucion i është besuar znj. Erinda Ballanca. Ai është një ndër të vetmet organizma që ka akses të ngrejë çështje që i gjykon të rëndësishme në Kuvend, por që nuk ka ngritur asnjë deri më sot. Paguhet sa Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe ka imunitetin e një anëtari të Gjykatës së Lartë! 

Burimi: Ligji Nr.8454 (Për Avokatin e Popullit)

Avokati i Popullit paguhet nga taksapaguesit shqiptarë. Ky institucion nuk është aspak i vogël, avokatja aktuale znj. Ballanca ka 5 këshilltarë, 4 komisionerë pa përfshirë këtu stafin e tyre me sekretarë, apo kabinetin e avokatit të Popullit. Vetëm për pritjen e popullit ka 4 persona përgjegjës, e disa të tjerë për marrëdhëniet për jashtë. 

Burimi: Faqja zyrtare Avokati i Popullit

Edhe pse sipas ligjit Nr.8454, është e shprehur qartë se Avokati i Popullit ka për detyrë të mbrojë të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshëm të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike nga Erinda Ballanca nuk ka pasur asnjë prononcim lidhur me situatën ku po jetojnë mijëra familje pas tërmetit. 

Prononcimi i parë i Avokatit të Popullit është bërë më 26 nëntor, ku ka shprehur keqardhje për të prekurit duke shoqëruar postimin me foton e një personi të plagosur që ishte duke u nxjerrë nga gërmadhat dhe duke shkelur në mënyrë absurde ligjin për publikimin e imazheve të personave të plagosur. 

Burimi: Faqja zyrtare Avokati i Popullit

Ditën e nesërme pas katastrofës natyrore ku humbën jetën 51 persona Avokatja e Popullit ka vazhduar axhendën e saj të punës që nuk ka lidhje aspak me situatën, dhe publikoi fillimin e një projekti. 

Burimi: Faqja zyrtare Avokati i Popullit

Të vetmet aktivitete që Avokatja e Popullit ka zhvilluar për të prekurit nga tërmeti, janë një vizitë që stafi i saj (jo vetë Ballanca personalisht) kanë zhvilluar në qendrat e personave të prekur nga tërmeti, dhe një aktivitet ku ka ftuar fëmijët e punonjësve të institucionit në institucion për ti argëtuar me qëllim largimin e traumës. 

Burimi: Faqja zyrtare Avokati i Popullit

Edhe pse mijëra qytetarë, fëmijë dhe të sëmurë, përballen me acarin dhe të ftohtën cdo natë nëpër cadra në mungesë të ushqimeve, ilaceve, dusheve, dhe të drejtat e njeriut shkelen mizorisht, Avokatja e Popullit nuk ka asnjë reagim! 

Ka ardhur koha që institucionet në Shqipëri të marrin përsipër të bëjnë detyrat e tyre. Nuk është hera e parë që avokatja e popullit, Erinda Ballanca hesht. Ajo heshti edhe në këto raste:

– Zhvilloi më 13 shkurt 2018 një takim me artistët e Teatrit Kombëtar, por nuk i mbrojti kurrë ligjërisht. Artistët protestojnë prej 1 viti e gjysëm për mbrojtjen e Teatrit.

– Zhvilloi disa takime me banorët e Unazës së Re, dhe përgatiti disa raporte, por në shkelje të të Drejtave të Njeriut banorët u dhunuan dhe shtëpitë u shkatërruan.

– Më 9 prill 2019 avokatja e popullit nisi hetime për dhunën e ushtruar ndaj banorëve të bregut të lumit, por këto hetime nuk u konkluduan asnjëherë, shtëpitë u prishën dhe ndaj dhunuesve të qytetarëve nuk u mor asnjë masë. 

– Avokatja e popullit nuk denjoji ti dëgjojë asnjëherë naftëtarët, të cilët kërkojnë të miratohet statusi i naftëtarit. 

– Avokatja e popullit nuk i dëgjoi kurrë banorët e Zharrëzës të cilët protestuan për kushtet ku jetojnë si pasojë e shpimit të puseve të naftës. 

– Sot minatorët e Bulqizës po bëjnë një rezistencë që është për tu lavdëruar për përmirësimin e kushteve të tyre të punës, ku rrezikojnë jetën, por avokatja e popullit nuk ka asnjë prononcim lidhur me këtë ngjarje. 

– Avokatja e popullit nuk i vizitoi në asnjë moment burgjet dhe kushtet ku të dënuarit vuajnë dënimet, dhe përvec disa deklaratave të saj nuk ka asnjë nismë konkrete për këtë cështje. 

– Le të mos flasim për Komunitetin Rom, as për fëmijët të cilët shfrytëzohen për të lypur pothuajse në cdo rrugë të Tiranës. Le të mos flasim as për shfrytëzimin e imazheve të fëmjiëve nga institucione shtetërore apo organizata. 

Avokati i Popullit është një institucion jetik për një shoqëri demokratike. Fatkeqësisht sot, pas një goditje natyrore që la nën qiell të hapur mijëra familje Shqipëria e ndjen thellësisht mungesën e një avokati të denjë për të përfaqësuar popullin shqiptar. 

AUTORE: REFXHEI TOLA, REDAKSIA GAZETA ORA

SPONZORIZIM: Për shpallje të vogla që nga viti 2000, vizitoni www.SHPALLJE.biz