Prova të reja kundër Trump/ A do të shkarkohet presidenti?

    US President Donald Trump attends a multilateral meeting on Venezuela in New York, September 25, 2019, on the sidelines of the United Nations General Assembly. (Photo by SAUL LOEB / AFP) (Photo credit should read SAUL LOEB/AFP/Getty Images)

    Prova të reja janë zbuluar në lidhje me procedurat e shkarkimit të presidentit amerikan Donal Trump. Kështu kanë deklaruar demokratët  në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara.

    Ata kanë publikuar disa dokumente që lidhen me akuzat se Trump i ka bërë presion Ukrainës për të hetuar një rival të tij politik.

    Në dokumente përfshihen tekst-mesazhe dhe shënime me shkrim të Rudy Giulianit, që është avokat i Trumpit.

    Trump i mohon akuzat, ndërsa hetimet kundër tij i quan “gjueti shtrigash”.

    Demokratët thanë se do t’i dërgojnë provat e reja – të siguruara nga biznesmeni Lev Parnas – në Senat, së bashku me akuzat formale kundër Trumpit.

    Dërgimi i akuzave në Senat, do të votohet sot në dhomën e përfaqësuesve dhe duke qenë se demokratët kanë kontroll të Dhomës, votimi pritet që të jetë pro.

    Kur akuzat kalojnë në Senat, ky i fundit mund të nisë me gjykimin e presidentit.

    Deri tani demokratët nuk i kanë dërguar në Senat, pasi Partia Republikane – së cilës i përket edhe presidenti – ka refuzuar të lejojë pjesëmarrjen e dëshmitarëve në gjykim.

    Cilat janë akuzat ndaj Trump?

    Trump akuzohet për shpërdorim të detyrës dhe pengim të punës së Kongresit.

    Akuzat formale kundër tij janë ngritur nga Dhoma e përfaësuesve që  në muajin dhjetor.

    Nëse gjatë gjykimit në Senat shpallet fajtor – gjë që thuhet se ka pak gjasa pasi ky institucion kontrollohet nga republikanët – Trump do të shkarkohej nga detyra.

    Trump akuzohet se i ka bërë presion Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për Joe Bidenin, i cili mund të jetë rival i tij në zgjedhjet e nëntorit.

    Në këmbim të favoreve nga Ukraina, Trump akuzohet se ka mbajtur dy gjëra pezull: ndihmën ushtarake për Ukrainën, në vlerë prej 400 milionë dollarësh, dhe një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas.

    Sipas demokratëve, Trump ka abuzuar me pushtetin, pasi ka përdorur zyrën e presidentit për përfitime politike personale dhe në dëm të sigurisë kombëtare.

    Akuzë tjetër që rëndon mbi Trump është edhe për pengim të punës së Kongresit, pasi ka refuzuar të bashkëpunojë në hetime.